
TIRANË- Kanë të njëjtat akuza penale, por njëri është në "arrest me burg", tjetri me "detyrim paraqitjeje". Kështu ka vendosur Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për çiftin Ilir Meta-Monika Kryemadhi. Në dosjen e SPAK të siguruar nga ZËRI, ishte Gjykata e Posaçme ajo që vlerësoi se Kryemadhi duhet të kishte një masë më të butë sigurie duke marrë parasysh disa elementë, mes tyre edhe shëndetin e Kryemadhit.
PJESË NGA DOSJA:
Në lidhje me personin nën hetim Monika Kryemadhi, Gjykata vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit personal ndaj saj duhen mbajtur në konsiderate këto kritere/rrethana: gjendjen ekonomike, shoqërore e familjare e saj, gjendjen shëndetësore të saj (gjatë hetimit ka rezultuar e dokumentuar se i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve të ndryshme mjekësore), rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale për të cilat dyshohet duke u nisur nga masa e dënimit që parashikon secila prej tyre, mënyra e kryerjes se secilës prej tyre, rrezikshmërinë shoqërore të autorit, faktin që personi nën hetim po hetohet për katër vepra penale të ndodhura në kohë të ndryshme, faktin që personi nën hetim dyshohet se është recidivist specifik në veprën penale të “Korrupsionit”, si dhe përbërjen e gjendjes së saj familjare.
Gjykata vlerëson se të gjitha këto rrethana, e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit caktimin ndaj personit në hetim Monika Kryemadhi të masës se sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale. Në vlerësimin e gjykatës kjo masë sigurimi personal është masa më e përshtatshme në raport me rëndësinë e fakteve të kryera nga personi nën hetim Monika Kryemadhi, si dhe masën e dënimit që parashikohet nga neni 260 i K.Penal, (katër deri në dymbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal (nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal (deri në tre vite burgim në maksimum) si dhe faktin që secili episod konsiderohet si vepër më vete. Masa e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nen hetim Monika Kryemadhi, ishte e përshtatshme ne raport me rëndësinë e faktit.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”./ZËRI