
TIRANË- Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një komunikim që ka pasur me gazetarët, u pyet se si do të bëhet pjesë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, në një kohë që ka mbetur pa parti dhe pa vulë. Basha tha se grupi që ai përfaqëson (gjithsej i kanë mbetur tre deputetë), do të presë rekursin e bërë për vulën në Gjykatën e Lartë, dhe në rast se nuk ka një vendim deri para zgjedhjeve, do të shkojë drejt një partie të re, ose do të bashkëpunojë me parti aleate brenda radhëve të spektrit opozitar.
Basha hodhi akuza sërish për një pakt të fshehtë Rama-Berisha, dhe tha se kushdo që voton në zgjedhjet e ardhshme, për secilin prej të dyve, vulos pozitat e tanishme që ata kanë, njëri në opozitë dhe tjetri në qeveri.
Jeni vetë i tretë në grupin parlamentar, a jeni ju drejt krijimit të një force të re politike?
Lulzim Basha: Padiskutim, ne nuk e kemi mbajtur të fshehtë, ne kemi thënë që do të bëjmë rekurs për paktin Rama-Berisha, për duopolin që kanë krijuar. Kemi dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë, presim që me hedhjen e shortit të caktohet trupa gjykuese, presim që të merret parasysh rekursi pa asnjë vonesë. Pasi çdo vonesë do të minonte demokracinë, por ne jemi të vetëdijshëm për presionet që kanë sot Gjykatat, nga ana politike, ne do të jemi me çdo kusht të pranishëm në zgjedhje, bashkë me parti të tjera aleate, që kanë interes të bashkohen në një rreth demokratik.
Kjo është betonizim i një kaste politike, që përparësi ka veten e vetë, kundër interesave të shqiptarëve. Ne jemi për mbështetje totale për SPAK-un, inkurajim politik dhe financiar që SPAK të bëjë punën e vetë, që askush të mos jetë mbi ligjin. Duke goditur pjesët e pakteve, që iu kanë hequr të drejtën shqiptarëv e se kush do ti qeverisë. Dhe së treti ti rikthejmë pasuritë te shqiptarët. Kush voton për Edi Ramën, mban Berishën në krye të opozitës, dhe kush voton Berishën mban Edi Ramën në krye të qeverisë.
Në një mënyë apo në një mënyrë tjetër, me parti të re, apo me forca politike aktuale, ne do të jemi listë alternative në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Basha foli dhe për ndryshimin e vendeve në Kuvend, ku ai dhe Gazment Bardhi nuk do të ulen më në karrige pranë njëri-tjetrit.
Basha: Këtu ka rënë niveli i debatit politik, debat për karrige. Kjo është arsyeja madhore e divorcit, se ne këtë betejë se nisëm për karrige, por për ndryshim. Këtu s’ka asgjë të re dhe impresionuese, vazhdon sindroma e karrigeve, do përforcohet edhe më shumë. Se ata që i thonë sot PD, janë në dy grupe, PD me të tijët që e përdor si bunker për të mbrojtur veten e vet nga SPAK në Pazar me Ramën dhe grupi tjetër, janë një grup njerëz që për karrige e nisën dhe për karrige e vazhdojnë. Natën vërshon wiski, ngrenë dolli për fundin politik të Berishës me idenë se do i zënë vendin. Këta janë njerëz që ngritën kartonët për të liruar të korruptuarit e Ramës. Është vazhdimi i mjerimit të tyre. /ZËRI