
TIRANË- Në një kohë që Lulzim Basha përjashtoi 11 deputetë nga grupi parlamentar i PD-së, ka ardhur dhe reagimi nga Gazment Bardhi. Ky i fundit duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, nuk ka kursyer ironinë në drejtim të Bashës, ndërsa ka thënë se ai është vetëm një nga deputetët e PD, dhe nuk ka asnjë rol vendimmarrës.
“Merreni me të qeshur dhe boll harxhuat rreshtat me çfarë bën Lulzim Basha. Përveçse humorit tek çdo mendje normale njerëzore, kanë zero efekt. Është fiks si pohimi “falë mundit tuaj nga sot Edi Rama nuk është më Kryeministër”, që demokratët e dëgjonin pas çdo proteste në 10 vjet opozitë!
Si njëri nga deputetët e PD, Lulzim Basha nuk ka as legjitimitetin, por as forcën për të përjashtuar askënd. Ndryshimi i përbërjes së grupit parlamentar mund të ndodhë VETËM me vendim të grupit parlamentar. Përtej kësaj, asnjë copë letre, asnjë firmë dhe asnjë vulë e keqpërdorur në ilegjitimitet, nuk ka vlerë. Ftoj secilin koleg të përqëndrohet tek skandali i Edi Ramën me korruptimin e një zyrtari të FBI, që pranoi fajësinë dhe marrëdhënien e biznesit me Kryeministrin, si dhe tek sjellja skandaloze e Edi Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë.
Aktet qesharake që bëhen për të zhvendosur vëmendjen nga këto dy çështje nuk mund të marrin asnjë sekond nga veprimtaria e Grupi Parlamentar të PD. Zhvendosja e vëmendjes është interes i Edi Ramës, por jo i demokratëve dhe opozitarëve. Një ftesë të sinqertë kam edhe për kolegun Lulzim Basha. Në vend të letrave pavlerë që synojnë përçajnë opozitën dhe mbajtjen ndezur të konfliktit mes vetes, të përqendrohet në çështje që nuk i shërbejnë forcimit të pushtetit të Edi Ramës, por dobësimit të tij”, deklaron Bardhi.
Pas rreagimit të Bardhit, ka ardhur dhe "përgjigjia" nga PD-ja zyrtare. Sekretari Ligjor, Indrit Sefa përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se ndidhet i habitur nga reagimet e disa deputetëve që me votat e tyre, më 10 janar të një viti më parë përjashtuan dhe pezulluan po keta deputet që sot i qajnë hallin.
Indrit Sefa: Në funksion të transparencës dhe të debatit publik në lidhje me reflektimin e disa vendimarrjeve të organeve të Partia Demokratike e Shqipërisë në vite, dua të theksoj se në datën 26.09.23 i është komunikuar Kuvendit të Shqipërisë lista e përditësuar e Grupit Parlamentar të PDSH. Habia që ka kapluar disa deputet është sa për të qeshur aq dhe për të qarë. Kushdo që sot mendon se disponon të vërteten absolute nuk duhet të harroj vendimmarrjet e Kryesisë së PDSH të datës 10.01.2022 ku me votat e tyre përjashtuan dhe pezulluan po keta deputet që sot i qajnë hallin. Kushdo që nuk njeh organet legjitime të PDSH-së dhe vetëpërjashtohet sa herë që nuk i vjen për shtat vendimarrja, nuk besoj se duhet të shqetësohet. Partia Demokratike nuk ka bëre asgjë më shume sesa i ka lehtësuar dilemën Hamletjane që i kishte pushtuar prej shumë kohësh këta deputet dhe i ka dhënë mundësinë që të jene ligjërisht, fizikisht dhe mendërisht aty ku ata kanë zgjedhur prej kohesh të jenë. Fatmirësisht Partia Demokratike me shumë kujdes administron të gjitha vendimmarrjet dhe qendrimet e secilit të mbajtura në organet e brendshme të PDSH për të gjitha çështjet siç është dhe ky rast. Memoria historike është aset i madh dhe domosdoshëm që na ndihmon mos të bëjmë gabimet e të kaluarës.
Lulzim Basha në cilësinë e kreut të Partisë Demokratike, ka përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së (për të cilin ka pikëpyetje se nga cili drejtohet) plot 11 deputetë, që kanë kaluar në krahun e Rithemelimit. Lista me emra, përfshin deputetë që prej kohësh janë distancuar nga Lulzim Basha, dhe janë bërë pjesë e tryezave të Sali Berishës. Ajo që bie në sy është fakti që Lulzim Basha nuk ka përjashtuar Gazment Bardhin, i cili nga ana tjetër pretendon se është kryetari legjitim i grupit parlamentar të PD-së.
Vendimi i Bashës i ka kaluar tashmë Kuvendit, ku Lindita Nikolla do e ketë të vështirë edhe njëherë tjetër që të bëjë arbitren e opozitës, beteja për drejtimin e të cilës tashmë është edhe në disa shkallë të gjyqësorit.
Deputetët që janë përjashtuar:
1. Greta Bardeli;
2. Ina Zhupa;
3 Isuf Çela;
4. Asllan Dogjani;
5. Bujar Leskaj;
6. Edi Paloka;
7. Kastriot Piroli;
8.Lindita Metaliaj;
9. Ludovik Hasanaj;
10. Sorina Koti;
11. Tomorr Alizoti;
/Zëri.ai