
TIRANË- Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët ka shpjeguar dhe njëherë tjetër arsyet që çuan Shqipërinë që të mos ishte në një linjë me deklaratën e BE-së sa i takon dialogut mes Serbisë dhe Kosvës. Rama e konsideroi situatën në veri të Kosovës tejet të rrezikshme, dhe tha se mbi sulmin që ndodhi në drejtim të policisë duhet të ketë një hetim të plotë dhe të shpejtë. Kryeministri u shpreh se duhet të jetë vetë BE ajo që të hetonte në lidhje me rastin, pasi qëndrimi i Kosovës është i qartë se kemi të bëjmë me një sulm terrorist.
Në këtë konferencë kryeministri Edi Rama ritheksoi 3 propozimet e tij në lidhje me situatën në veri të Kosovës:
Konferencë ndërkombëtare e nivelit të lartë
KFOR të marrë kontrollin e veriut të Kosovës
Palët të vazhdojnë dialogun për asociacionin
“Ky qëndrim për moslinjëzimin me deklaratën e BE ka të bëjë me çbalancimin total që deklarata e djeshme krijin në këto momente dramatike, ku situata mund të përkeqësohet nga ora në orë, e dita në ditë. Kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz për rrezikshmërinë e lartë të situatës në veriun e Kosovës. Zëdhënësi i Brukselit tha se duhen pritur rezultatet e hetimit, edhe mund të ishim dakord me këtë nëse minimalisht Serbia do të ishte distancuar nga grupi kriminal që i mori jetën policisë së Kosovës, por në vend të hetimit të ngjarjes të provokuar nga grupi kriminal serb, dhe policia, Serbia zgjodhi t’i nderojë duke i shpallur ditë zi.
Çfarë hetimi pret BE? Nuk e dëgjova zëdhënësin e BE që pret hetimin nga autoritetet e Kosovës por s’besoj se do ti pranojë rezultatet e hetimit të Kosovës, pavarësisht se ishte grupi kriminal serb që provokoi dhe shkuan atje për të ndaluar një terror.
A po heton vetë BE? Mirë do ishte, por nuk e dëgjova nga zëdhënësi i BE. Sikur ta dëgjonim këtë. Ne nuk kërkuam rezultatin e një hetimi, por dënimin pa ekuivok të vrasjes së policit të Kosovës nga një grup kriminal dhe dënimi i aktit absurd të nderimit të grupit kriminal të armatosur deri në dhëmbë për demonstrimin e një force të paligjshme dhe u asgjësuan nga policia e Kosovës”, u shpreh Rama, ndërkohë që kërkoi një prani më të madhe të KFOR në komunat me shumicë serbe në veri.
“Këtë e meriton dhe e pret që ta dëgjojë i gjithë ky rajon që boll ka vuajtur në historinë e vetë nga degradimet të hajvallëkut. Kjo histori mund të përshkallëzohet në përplasje të armatosura prej vitesh. E kam paralajmëruar prej kohësh mundësinë e pështjellimit të këtij skenari tragjik dhe fatkeq në veriun e Kosovës, qoftë në këtë tryezë apo në tryezat e tjera më të larta. Jo se jam më i mençur se të tjerët, apo se lexoj të ardhmen, por thjesht se nuk jam i zënë me hallet e gjithë botës, siç janë të mëdhenjtë e kësaj bote apo s’jam i mbyllur në qerthuj e së shkuarës, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë.
Në këtë sekondë sikur i shoh në faqet e mia të rrjeteve sociale plumbat e trimave. Jam mësuar me klubin mediatik në Shqipëri dhe ata në Kosovë si vëlla i Vuçiçit. Ata në Kosovë më bëjnë top. Sinqerisht i kuptoj pa asnjë problem. Ndërkohë që të tjerët, këta që bëjnë biznes politik dhe mediatik në Tiranë me thonjtë e krizave në Veriut të Kosovës, i neverisë. Të jeni të bindur që asgjë nga këto dhe askush nga këta, as nuk ma ndryshojnë vizionin. Gjithçka mund të përfundoj në gjakderdhje dhe në luftë. Po tani? Po më tej çfarë duhet pritur? C’duhet shmangur, dhe c’duhet bërë e mundur. Shpresoj që shpërthimet në Veri të Kosovës mos ta kthejnë atë në një Donbas.
Dialogu mes dy vendeve duhej të ngrihej në një konferencë ndërrajonale. Sot mimialisht formati i Brukselit, ku venë e vinë dy burra nga këtej, hynë e dalin dy burra atje, s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Bashkë me stokun e të gjitha marrëveshjeve, të pazbatuara, mund të sjellë largqoftë një stok viktimash të një konflikti të armatosur. KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Është propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO-s.”, pohoi Rama.
-
KFOR në veri të Kosovës? Berisha komenton kërkesën e Ramës: Djallëzore!
28 Shtator, 14:51
I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur komunikim me Vuçiç pas vrasjes së policit në veri, Rama nuk pranoi që të jepte një përgjigje direkte.
“Nuk kam thënë që nuk do të ketë asnjë të shtënë, kam thënë që veriu i Kosovës mund të degradojë në në donbas, kam thënë që nuk hyn dot ushtria e rregullt serbe në Kosovë, dhe këtë e them edhe sot. Unë jam kryeministri i Republikës së Shqipërisë, marrëdhëniet në këto nivele janë marrëdhënie që nuk kalojnë nga interesa personale, por nga nevojat e vendit. Presidentin e Serbisë nuk e zgjedh dot as unë dhe as Albin Kurtin, Serbinë nuk e paketojmë dot që ta çojmë në një shtet tjetër, duam nuk duam është një vend fqinj me ne”, u shpreh më tej Rama.
I pyetur nëse do të bëhet ai ndërmjetës mes Kosovës dhe Serbisë për kapërcimin e konfliktit, Rama tha prerë se jo, pasi është në kushtet e konfliktit të interesit.
“Unë nuk mund të bëj ndërmjetësime mes Kosovës dhe Serbisë sepse unë jam në konflikt të hapur interesi. Është shumë e thjeshtë. Pavarësisht se për disa jam vëllai i Vuqiqit, por edhe Vuqiqi e di shumë mirë që jam në konflikt të hapur interesi dhe nuk mund të bëj ndërmjetësime”, tha Rama./Zëri.ai