
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një deklaratë për mediat tha se ajo që po ndodh sot në Kryesinë e Kuvendit është e neveritshme. Noka theksoi se sot është themeluar "Republika e Gardës". Sipas tij, Rama ka krijuar një bandë, e cila është në krye të vendit.
“Çdo gjë që bëhet ndaj nesh është antiligjore. Ne po kërkojmë se mbi çfarë vcendimi nuk lejojmë të shkojmë në punë. Linda e parlamentit nuk na lejon të shkojmë në punën tonë. 100 gardistë janë në paradhomën e Lindës, çdo derë ka nga 50 gardistë.
Sot është themeluar Republika e Gardës, që mbron Lindën, a thua se ne jemi mafiat dhe po mbrohen. Kjo është e neveritshme. Nuk kanë limit, dhunë, terror, banda e gjithçka e përsëri janë të tmerruar, e kanë kthyer vendin në bunker. Nuk është parë në demokraci kjo gjë, këta janë bandë. Si sot nuk ka ndodhur kurrë, kjo është diktaturë staliniste. Vetëm gjyqi politik akoma nuk është bërë”, tha Noka.
Deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur me punonjësit e Gardës së Republikës në hyrjen kryesore të Kryesisë së Kuvendit. Garda ka mbyllur derën e ambienteve të Kryesisë për të mos lejuar deputetët demokratë, të përjashtuar 10 ditë nga seancat plenare dhe nga punimet e tjera të Kuvendit./Zëri.ai/