TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka thirrur nesër në një takim krerët e grupeve parlamentare. Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht thirrjen e Konferencës së Kryetarëve nesër në orën 11:00 me rendin e ditës “Miratimin e listës së anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të komisioneve të përhershme të Kuvendit”, me qëllim që të plotësohen karriget bosh të anëtarëve të 11 komisioneve të përhershme, në mënyrë që ato të nisin punën.
Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë pasi opozita depozitoi një kërkesë zyrtare ku kërkonte dorëheqjen e kryeparlamentarit me pretendimin për sjellje të njëanshme politike në drejtimin e punimeve parlamentare, në favor të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama.
Por, çfarë pritet të ndodhë? Deri më tani opozita ka bojkotuar seanca, votime dhe miratime, teksa mazhoranca votoi e vetma komisionet e reja parlamentare. Rregullorja e re e Kuvendit me ndarjen 7 me 4 të komisioneve të përhershme solli tensione dhe kundërshtime të forta nga ana e opozitës.
Po në të njëjtën ditë, Partia Demokratike caktoi drejtuesit e 4 komisioneve parlamentare që i takojnë asaj dhe nënkryetarët e atyre që drejtohen nga mazhoranca. Por, këto emra nuk janë votuar pasi selia blu nuk i dërgoi zyrtarisht në Kuvend. Nga ana tjetër, janë miratuar emrat e kryetarëve dhe zv/kryetarëve të komisioneve nga radhët e socialistëve, ndërsa me plotësimin edhe me anëtarë këto komisione bëhen plotësisht funksionale.
Partia Demokratike pritet që të hënën të parashtrojë në Konferencën e Kryetarëve edhe kërkesën për anulimin e seancës së votimit pa debat të qeverisë, por edhe mocionin për shkarkimin e Niko Peleshit. Më herët, PD ka paralajmëruar se do të çojë vendimin për ndryshimin e rregullores në Gjykatën Kushtetuese ku do të kundërshtohet procedura e shpejtuar e votimit, ndaj përbërja e re e komisionit nuk do të jetë e plotë.

