
LUKSEMBURG- Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat para se të nisë Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ai tha se Shqipëria po përgatitet që të integrohet në BE brenda 2030. Ndër të tjera Rama shtoi se ishte lufta në Ukrainë që “zgjoi” Bashkimin Evropian për të kuptuar që Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për një BE më të fortë.
“Jemi shumë të vendosur për të hyrë në BE. Kemi qenë të vendosur që në momentin kur në Shqipëri u rrëzua diktatura. Për ne BE është i vetmi vend ku duam të jetojmë dhe duam të jetojnë dhe fëmijët tanën dhe është vetmi vend ku garantohet demokracia. Janë detyra dhe një mal që duhet ngjitur dhe ne tashmë po ecim me ide të qarta, vullnet të mirë dhe të fortë për të arritur atë që duam që Shqipëria të integrohet brenda 2030. Dua të falenderoj Vladimir Putin që përmes agresionit zgjoi nga gjumi dhe më skeptikun dhe bëri të zgjojë realitetin se Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për një BE më të fortë për aq sa konstelacioni i BE-së është i nevojshëm për Ballkanin Perëndimor", tha Rama.
Sot Shqipëria do të të çelë negociatat me Bashkimin Europian për kapitujt themelorë. Takimi do të mbahet sot në Luksemburg, ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Sipas agjendës zyrtare në takim përfshihet hapja e pesë kapitujve:
-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma e administratës publike-
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Kapitulli 5 – Prokurimi publik
-Kapitulli 18 – Statistikat
-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. Ndërsa në mars të 2020 Shqipëria mori aprovimin për hapjen e negociatave dhe në korrik të 2022 BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me vendin tonë. /ZËRI