
TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka mbyllur këtë të mërkurë "derën" opozitës sa i përket ndryshimeve në Reformën Zgjedhore që kanë të bëjnë me rikthimin e koalicioneve parazgjedhore. Kreu i qeverisë tha se kjo nuk do të diskutohet. Deklaratën e bëri i ftuar në "Report Tv".
Edi Rama: As që bëhet fjalë. Se janë dhe shumë interesantë. Përsërisin të njëjtën gjë. Kur i sheh të ndarë thua pse janë ndarë, ata janë e njëjta gjë, siç kanë qenë së bashku. Gjithmonë me ultimatum, të ndryshojë kjo dhe nuk ulen në tavolinë. Bënë gjithë atë rrëmujë, për të disatën herë e lajmëruan fundin tim, këtu jam, u ulën prap. Dëmtuan veten në radhë të parë por kjo ka pak rëndësi për mua, por i bën dëm parlamentit.
Ndërkohë gjatë intervistës, Rama është rikthyer pas në kohë, në fushatën e tij për Bashkinë e Tiranës. Rama thotë me ironi se për të qenë i suksesshëm në politikë nuk duhet të jesh normal.
Edi Rama: Mua nuk më çmendin dot, se që kur kam hyrë në politikë e kam pranuar që jam i çmendur. Ju kujtohet apo ke qenë i vogël, kur kemi bërë garën e parë për kryetar bashkie, ai nuk më kujtohet as kush ishte kundërshtari se u bënë shumë vjet thoshte, ju keni nevojë për njeri normal, Edi Rama nuk është normal. Se kujtonin se unë do thosha jo unë jam normal. Unë i thosha jo. Ju nuk keni nevojë për njeri normal, se njeriu normal këtë çmenduri dhe anormalitet nuk e ndryshon dot. Ju keni nevojë për një njeri anormal. Natyrisht kjo ka dhe të këqijat e veta. Por shqiptarët nuk kanë gabuar./ZËRI