
TIRANË-Sot do të rikthehet të Kuvendi, pas një shkëputje disa javore nga aktiviteti parlamentar për shkak të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve të 11 Majit. Seanca plenare është parashikuar që të nisë në orën 12:00, teksa dy orë para seancës, në orën 10:00 kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur Konferencën e Kryetarëve, ku do të diskutohet për kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 29 maj–8 korrik 2025. Megjithatë priten debate nga ana e opozitës, e cila akuzon Partinë Socialiste për vjedhjen e zgjedhjeve.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka drejtuar një mesazh kolegëve të tij deputetë demokratë për seancën plenare. Në mesazhin e tij, Bardhi thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë seancë dhe deklaron se do të bëhet gjithçka për të paraqitur faktet e asaj që ai e cilëson si “farsë elektorale”.
“Të nderuar kolegë, nesër ora 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit. Ju përshëndes!” – shkruan Bardhi.
Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi u ka dërguar një mesazh deputetëve ku u kërkon që në orën 11:30. Ata do të diskutojnë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seancat në vazhdim.
“Përshëndetje kolege! Siç jeni vënë në dijeni, nesër, e Enjte, datë 29 Maj, ora 12.00 zhvillohet seanca plenare e radhës. Paraprakisht, në 11.30 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar, po aty, në Sallën e Seancave Plenare. Diskutojmë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seanca përgjatë javëve në vazhdim. Pjesëmarrja është e domosdoshme. Faleminderit ” thuhet në mesazhin që kreu i grupit PS Niko Peleshi u dërgon deputetëve.
Rendi i ditës:
Sipas kalendarit zyrtar, gjatë peridhës së mbetur të kësaj legjislature, do të bëhen raportimet vjetore të të gjitha institucioneve publike, përfshirë edhe ato të drejtësisë.
Gjithashtu, në rend të ditës është edhe shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 29 maj – 18 qershor 2025 si dhe Raporti i Monitorimit për periudhën 1 janar – 31 mars 2025, për ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimevetë raportit të Komisionit Evropian për vitin 2024.
Parlamenti aktual i mbyll punimet në fund të javës së tretë të korrikut, ndërsa në shtator do të konstituohet parlamenti i ri, ku ligjvënësit aktualë do të duhet të “lirojnë” vendin për deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit./ZËRI