
TIRANË- Ligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ka qenë pjesë e diskutimeve të sotme në Komisionin e Ligjeve, ku raportoi zevendësministri i mbrojtjes Niko Peleshi. Gazment Bardhi, duke folur në emër të grupit parlamentar të PD-së, tha se opozita do të votojë kundër këtij ligji, për një sërë arsyesh.
Bardhi tha se karrierë brenda ushtrisë shqiptare kanë bërë vetëm personat që iu shërbejnë oligarkëve, dhe kanë bërë shpronësimin e pronave në favor të tyre. Bardhi akuzoi se njëri prej gjeneralëve që iu ka shërbyer oligarkëve, socialistët e kanë çuar në Presidencë, duke iu referuar karrierës së mëparshme të kreut të shtetit, Bajram Begaj.
"Ne do ta votojmë kundër këtë ligj, sepse nuk garanton që ata të cilë kanë bërë karrierë me ndershmëri. I vetmi kriter për të bërë karrierë në Forcat e Armatosura, ka qenë vetëm firmosja e ndonjë prone për oligarket. E kemi parë çffarë ka ndodhur, gradat dhe pozicionet i kanë marrë ata që kanë firmosur prona. I keni bërë gjeneralë e ndonjë prej tyre e keni çuar edhe në Presidencë. Pra, ky ligj vetëm për këtë behet.
Ne nuk mund të rrimë pa shprehur shqetësimin, kur shikojmë se në zonat e forcave të armatosura mbillen sipërfaqe të tëra me lëndë narkotike. Vleresojmë çdo oficer karriere, çdo person që ka kontribuar por smund të heshtim për politizimin që keni bërë", u shpreh Bardhi gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë që deputeti socialist Xhemal Qefalia, tha se është e papranueshme, që opozita të mos bjerë dakord, që të ketë një dakordësi për një vlerësim më të mirë të forcave të armatosura.
“Të mos paragjykojmë çdo gjë që vjen nga mazhoranca, pse duhet të politizoni gjithçka. Më vjen mirë që dhe brenda radhëve tuaja ka njerëz që e mbështesin këtë ligj”, tha Qefalia.
Ndryshimet në ligjin për “Karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”, synojnë që të rritet mosha e qëndrimit të efektivëve ushtarakë në shërbimin aktiv.
Ndryshimi kryesor është ndërmarrë në nenin 14 të ligjit për karrierën në forcat e armatosura, sipas të cilave, ushtarakët do të mund të qëndrojnë në secilën prej gradave nga 2 deri në 3 vjet më shumë.
Ndryshimet bëhen për të mbajtur personelin për shkak të boshllëqeve të krijuara në Forcat e Armatosura për arritjen e kapaciteteve operacionale të kërkuara prej uljes së ndjeshme të rekrutimeve.
/ZËRI