Politikë

'Jo, provimit të gjuhës shqipe'/ Miratohet ligji për shtetësinë, të enjten kalon në Kuvend

I pranishëm në mbledhjen e sotme ishte edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se nuk ndante të njëjtin qëndrim me atë të presidentit, ndërsa nga ana tjetër përfaqësuesi i presidencës ishte jurisiti Ilir Rusmajli.

k.m.
'Jo, provimit të gjuhës shqipe'/ Miratohet ligji për
Pamje nga Komisioni

TIRANË- Komisioni i Sigurisë ka pranuar dekretin e presidentit Bajram Begaj për ligjin e shtetësisë. Ligji, i cili u votua njëherë në Komisionin e Sigurisë, pritet që të rivotohet edhe njëherë të enjten në seancën plenare të Kuvendit. I pranishëm në mbledhjen e sotme ishte edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se nuk ndante të njëjtin qëndrim me atë të presidentit. Ndaj në fjalën e tij, Balla kërkoi sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare mbështetjen e gjithë deputetëve pa dallim politik, për ti dhënë fund menjëherë detyrimit që ka çdo shtetas me kombësi shqiptare, që për të marrë shtetësinë e vendit amë duhet të japi provimin e gjuhës shqipe.

Balla u shpreh kundër provimit të gjuhës shqipes për shqiptarët e Kosovës, Republikës së Maqedonisë së Veriut apo dhe të diasporës.

“Në këtë moment që flasim na dëgjojnë edhe vëllezërit tanë të Kosovës edhe të Maqedonisë së Veriut edhe të Preshevës edhe në Malit të Zi, por edhe në diasporë, të cilët janë të shumtë që presin që ne të heqim një pengesë të pakuptimit. Ata kanë lindur shqiptarë, ata flasin gjuhën shqipe dhe ne tani duhet t’i mbajmë pengë me procedura që të bëjnë provim të gjuhës shqipe, e si t’ua shpjegojmë ne atyre. Çfarë provimi duhet të japi një shtetas shqiptar i Kosovës për gjuhën shqipe? Kështu që në këtë aspekt kjo është preambula e kësaj ndërhyrje time për sa i përket dekretit. Ka shumë argumente që tejkalojnë ndasitë tona politike. Bëhet fjalë për shtetas që kanë lindur shqiptar, flasin gjuhën shqipe dhe ne duhet t’i kërkojmë të japin provim të gjuhës shqipe. Të votojmë dhe një herë ligjin dhe dekretet. Meqë këtu janë përfaqësues të presidentit të marrim aprovimin që të hyjë për miratim ditën e enjte,”- deklaroi ministri Balla.

Ndërsa nga ana tjetër përfaqësuesi i presidencës, jurisiti Ilir Rusmajli u shpreh në komision se ligji nuk ishte në harmoni me Parimet e Konventës Europiane si dhe disa parregullësi në lidhje me Kushtetutën e vendit. Por teksa diskutonin për ligjin, deputeti opozitar Ferdinand Xhaferri së bashku me Ervin Salianjin shkëmbyen batuta me drejtuesin e Komisionit, Naspi Naço, i cili me ironi ka kërkuar që t'u jepet prioritet deputetëve demokratë.

PJESË NGA BISEDA:

Balla: Në vlerësimin tonë ky pretendim është i sqaruar dhe nuk qëndron si pretendim se Konventa Evropian për Shtetësinë ka në frymën e vetë orientimin e rregullit të çështjeve të shtetësisë me ligj të brendshëm në varësi të faktorëve të brendshëm që ka secili. Dhe në Konventën Evropiane për Shtetësinë të ratifikuar nga Kuvendi dhe ky është sqarimi, me ligjin nr.89/42 datë 19.09.2002 me shkronjën e të pikës 4 të nenit 6, parashikohet se çdo shtet palë do të lehtësoj në të drejtën e tij të brendshme fitim e shtetësisë së tij për personat e mëposhtëm: personat që kanë lindur në territorin e tij dhe që qëndrojnë aty ligjërisht edhe në mënyrë të vazhdueshme.

Xhaferraj: Bini dakord apo jo me shqetësimin e presidentit apo nuk e pranoni?

Balla: Shqetësimi sa i përket mungesës së kuorumit duhen marrë parasysh dhe duhen pranuar. Po jap disa sqarime për deputetët. Kjo çështje është e sqaruar.

Naço: Të lutem më i përmbajtur zoti Xhaferri.

Balla: Presidentit është autoritet kushtetues i cili ka shprehu disa shqetësim. Shqetësimet sa i përket mungesës së kuorumit te disa amendamente janë shqetësime të cilat duhen marr parasysh dhe duhen pranuar sa kohë që unë mendoj se ka vullnet politikë të të gjitha palëve këtu që ne të rikthehemi edhe një herë në Kuvend edhe t’i votojmë. Po jap disa shpjegime për sa i përket një momenti që ka konstatuar Presidenti i Republikës për të sqaruar deputetët dhe me këtë mendim mendoj që kjo çështje është e sqaruar. Pra Presidenti ka ngritur një shqetësim se janë dy shtetas me shtetësi të huaj që jetojnë dhe punojnë prej shumë vitesh në Shqipëri dhe fëmija i tyre me pëlqimin e tyre aplikon për të marr shtetësinë Shqiptare, ka lindur në Shqipëri dhe unë ju citova sqarimin që ka bërë konventa për të cilën e kemi miratuar, të paktën ju z. Xhaferri keni qenë deputet kur e keni votuar këtë konventa në vitin 2022 dhe prandaj e solla si argument.

Xhaferraj: Mos merrni përsipër të mbuloni edhe institucionin e Presidencës, aty janë këshilltarët.

Balla: Presidenca është kundër në këtë aspekt, rini i qetë nuk jemi bashkë. Kini parasysh z. Xhaferri ky sqarim është bërë nga institucioni i Presidencës unë bëra thjeshtë një hyrje për ta simplifikuar si nevojë dhe mendoj që edhe ju vetë personalisht apo edhe kolegë të tjerë të opozitës keni plotë raste në secilin prej zonave tuaja zgjedhore që kanë ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri, kanë lindur fëmijët e tyre në Shqipëri duan që fëmijët e tyre të pajisen me pasaportën shqiptare dhe kjo gjëja nuk e lejon. Të gjitha ndërhyrjet që kemi propozuar është për të zgjidhur halle që po konstatohen në punën tonë të përditshme.

Naço: Ti japim fjalën përfaqësuesit të presidentit, zoti Rusmajli, fjala për ju.

*Ndërhyn Xhaferraj.

Naço: Po ia japim këtyre fjalën. Se na ikin prapë...

Xhaferraj: Nuk je shquar për sens batute. Këtë frikën se do ikim apo jo, nuk po të kthej përgjigje.

Salianji: Ministri na u drejtua disa herë. Frikë ka gjithë administrata që nuk firmos. Ajo që po kërkojmë si opozitë është që t'i kapim të "gjallë" kriminelët. Prandaj ngremë shqetësim ne. Sa herë ka një aksident, ka një problem me Policinë. E dini edhe vetë atje ku iu hodh në erë ajo, duke i uruar edhe shërim të shpejtë kolegut tonë. Marrin leje për mijëra metra, dhe ndërtojnë në të tjera. Po të kishte kontroll policor, nuk do kishim viktima dhe as shpërthime. Kjo nuk është e tepërt.

Rusmajli: Ne vetëm koment parimor mund të bëjmë. Jemi të kënaqur që ka vullnet të ministrit për të zbatuar shqetësimin tonë kushtetues. Dhe për ta shtruar në kuvend çështjen që ne kemi. E konsiderojmë këtë çështje të rëndësishme. Atje ku kushtetuta kërkon vullnet me shumicë të cilësuar duhet të jetë në të gjithë trupën e ligjit, nenet dhe në parim dhe tërësi. Fakti që disa nene nuk e kishin këtë, u përcaktua si vërejtje e drejtë. Ngjarja e fundit është ajo e sekretariatit të procedurave. Kemi dhënë disa sugjerime. Që janë çështje e arsyetimit tuaj, debatit të brendshëm. Mendojmë se duhet të ketë harmoni me Parimet e konventës europiane. Ka nevojë për sensibilizim. Për atë që është kushtetuese jemi të kënaqur që shohim këtu vullnetin për ta pranuara rezervën e patur.

Naço: Ftoj kolegët për deputetë për ta votuar. Është në përputhje me nenin 86 të rregullores së Kuvendit. Të hedhim në votim dekretin e Kuvendit, për kthimin e ligjit për shtetësinë. E hedhim në parim. Miratohet. Pranohet dekreti i Presidentit të republikës.

Ligji për shtetësinë u kthye nga Presidenti Begaj, pasi mori 95 vota në parim dhe në tërësi, por disa nene morën vetëm 78 vota. Sipas Presidencës, 4 amendamente nuk morën 84 vota siç parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB