
ITALI- Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, në një intervistë për RAI3, shprehet se ngritja e qendrave të pritjes së emigrantëve në Shqipëri po ecën përpara.
“Projekti në Shqipëri po përparon, do të funksionojë së shpejti. Do të jetë një projekt strategjik. Politika e menaxhimit të migracionit në BE mund të ndryshojë shumë. Më bën shumë për të qeshur që eksponentët e Partisë Demokratike, të cilët më parë na sulmuan, sepse sipas tyre ne po ndërtonim një Guantanamo, tani ankohen për vonesat në ndërtimin e Guantanamos. Projekti do të funksionojë dhe do të udhëheqë rrugën,"-u shpreh Meloni.
Meloni është ndalur të flasë edhe për homologun e saj shqiptar, Edi Rama ku nuk i ka kursyer vlerësimet për të.
“Dua të falenderoj publikisht Edi Ramën sepse ai ka qenë objekt i çdo lloj sulmi, që kur vendosi që të nënshkruajë këtë protokoll me ne. Fakti që e majta këtu kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Europiane që e quan Shqipërinë narko-shtet, fakti që atij i atribuojnë fjalë që nuk i ka thënë, është padrejtësi. Ajo që dëshiron të bëjë Edi Rama është që të ndihmojë Italinë”, tha ajo.
Më datë 6 nëntor 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen, për të ndërtuar në Shqipëri dy qendra për të strehuar emigrantët. Sipas marrëveshjes, porti i zbarkimit të emigrantëve do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal që do të mbajë qendra në Shqipëri do të jetë 3000 emigrantë të huaj në muaj./ZËRI