Politikë

Meta si Berisha! Akuza ndaj SPAK: Shpifjet i hetojnë 'rrufeshëm'

Kreu i PL Ilir Meta kritikoi SPAK, duke u shprehur se nuk heton zyrtarët e lartë të qeverisë

D.XH
Meta si Berisha! Akuza ndaj SPAK: Shpifjet i hetojnë
Ilir Meta, Sali Berisha dhe SPAK

TIRANË – Partia e Lirisë ka zhvilluar gjatë ditës së sotme mbledhjen e Komitetit Drejtues, teksa kryetari i kësaj force politike Ilir Meta foli për çështje politike dhe sociale, që shqetësojnë vendin. Ai, sikundër ka bërë deri më tani edhe kreu demokrat Sali Berisha, ka kritikuar SPAK, duke u shprehur se drejtësia e re i merr direktivat nga tribunat e Kongresve të Rilindjes.

‘Për fat të keq Drejtësia e Re i merr direktivat nga tribunat e Kongreseve të “Rilindjes”. Ndaj denoncimet e faktuara dhe të paraqitura nga personat publikë dhe politikë nuk i merr në shqyrtim, për shpifjet e çdo ordineri të paguar nga Qeveria heton rrufeshëm. Kryetari i Partisë Demokratike pa asnjë akuzë izolohet në arrest shtëpie ndërsa të gjithë e dinë se destinacionin e Klubit Sportiv “Partizani” në kompleks ndërtimesh e firmosi Edi Rama. Edhe kur faktet, dokumentat dhe provat për korrupsionin e Qeverisë ulërijnë si në rastin e megaaferës së inceneratorëve, askush nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Edhe pse McGonigal është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg, korruptuesi i tij Edi Rama, as nuk hetohet, as nuk vendoset para përgjegjësisë ligjore dhe as nuk thirret në SPAK. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është faktuar se ka rrëmbyer kompetencat e Këshillit Bashkiak, duke dhënë miratimin në parim për studimin e fizibilitetit të inceneratorit imagjinar, që gllabëron çdo ditë 80 mijë euro. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është faktuar se ka futur në borxh për 30 vjet qytetarët për një vjedhje 500 milion euro dhe se ka lejuar zaptimin e 15 ha tokë jashtë territorit të Lejes së Ndërtimit të Projektit.  Por ndërsa Qeveria është vigjilente për të arrestuar dhe kallëzuar penalisht duke i trajtuar si terroristë qytetarët e thjeshtë hallexhinj për një kotec pulash, për një dritare apo çati pa leje, mbyll sytë dhe nuk reagon para çdo ndërtimi pa leje vetëm 5 minuta larg qendrës së Kryeqytetit. Qeveria ka zgjedhur ta blejë pushtetin dhe drejtësinë për të vjedhur dhe frikësuar qytetarët dhe opozitën”, u shpreh Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha se për partinë që drejton, arsimi është prioritet kombëtar. “Kemi paraqitur 7 propozime konkrete dhe plotësisht të realizueshme për t’a rikthyer brenda një kohe të shkurtër arsimin në shinat e dijes sepse ne besojmë se në këtë mënyrë do të ndalim edhe shpopullimin. Rritja në masën 5% të PPB të buxhetimit të arsimit dhe miratimi në Kuvend me shumicë të cilësuar të ligjeve kryesore të arsimit mendojmë se janë alternativa e duhur për daljen nga honi i injorancës ku kjo mazhorancë e ka zhytur vendin. Për të kuptuar këtë mjafton të shohësh raportet e Bankës Botërore.  Cilësia e arsimit shqiptar dhe investimi i Qeverisë në arsim mbetet më e ulta në rajon dhe Europë. Ndaj jo më kot jemi të 8-ët në botë për largimin e trurit, në vend të 69-të mes 80 vendeve sipas testit të PISA-s për rritjen e nivelit të analfabetizmitfunksional, siedhe për rënien dramatike të nivelit të përvetësimit të dijeve”, tha Meta.

Më tej, Meta tha se qeveria, në vend se të reagojë për shpopullimin që po ndodh në Shqipëri, po i shërben me vullnet të plotë një klike oligarkësh, me të cilët tashmë ka në bashkëpronësi gjithçka, pasuritë dhe pronat, paratë dhe shërbimet publike.

“Shpopullimi është i qëllimshëm dhe pjesë e axhendës antikombëtare të Qeverisë. Shpopullimi vijon të mbetet një nga plagët më të mëdha që Edi Rama dhe “Rilindja” i ka shkaktuar vendit dhe një nga arsyet pse ende po mbahen të fshehta rezultatet e Censusit. Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike dhe po dikton rritjen e mëtejshme të moshës së daljes në pension. Në një vit Shqipëria humbet 36 mijë të rinj që largohen nga vendi dhe ndërkohë 23 mijë pensionistë shtohen në skemën e pensioneve. Në vitin 2023 numri i tyre vlerësohet të ketë arritur në rreth 700 mijë persona, me një rritje rreth 19% në krahasim me 2014. Ulja e kostos së lartë të jetesës është një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale të Partisë të Lirisë”, u shpreh Meta.

Kreu i PL Ilir Meta theksoi se narkoekonomia po çon vendin në greminë. “Në vend të përqëndrimit të investimeve vetëm tek ndërtimi, për kulla dhe pallate, duhet një politikë e përgjegjshme dhe efektive për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendase, që ndërtojnë sipërmarrje me peshë, fabrika dhe teknologji të reja, duke hapur vende të reja pune dhe garantuar një ekonomi të qëndrueshme. Siç është konstatuar edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare ndërtimi është kthyer sot në një mekanizëm për pastrimin e parave të pista, ashtu siç e shohim sot sidomos në Tiranë. Ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht në kryeqytet, ku studimet dhe monitorimet tepër serioze vërtetojnë qartë situatën katastrofike të ndotjes në Tiranë, të paktën mbi 20 herë mbi normat e lejuara, duke rritur ndjeshëm sëmundshmërinë. Ndërsa qytetet përmbyten nga kullat dhe betoni, çifteve të reja u duhen 50-70 vite kursime për të blerë një apartament në periferi”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Meta deklaroi edhe se çmimet e shportës në Shqipëri janë tepër të larta, në krahasim me vendet e rajonit. “Ushqimet bazë në Tiranë janë 43,5% më të shtrenjta se në Prishtinë, 15,2% më të shtrenjta se në Podgoricë dhe 26,1% më shtrenjtë se në Shkup.Ndërsa fuqia blerëse është 6,9% më e ulët se në Prishtinë, 28,2% më e ulët se në Podgoricë dhe 17,2% se në Shkup. Sot shqiptarët nuk paguajnë vetëm më shtrenjtë për të blerë ushqime, por edhe për barna”, tha Meta.

Gjithashtu, kreu i Partisë së Lirisë deklaroi se shqiptarët jo vetëm që nuk kanë mundësi të ushqehen, por as të kurohen. “Shëndetësia falas ka qenë dhe mbetet një nga mashtrimet më të mëdha dhe të pabesa të “Rilindjes”. Shqiptarët paguajnë 60% nga xhepi për shëndetin më shumë se të gjithë në Europë. Madje OBSH përllogarit se në periudhën 2015-2021 shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82%”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Meta nënvizoi se situata ekonomike po thellon në mënyrë kritike varfërinë dhe po polarizon shoqërinë shqiptare, duke thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. “Ne angazhohemi për një model ekonomik, që stimulon iniciativën dhe tregun e lirë, konkurrueshmërisë dhe mirëqenie për të gjithë, pasi vëmendja e Qeverisë nuk qëndron tek kosto e jetesës së qytetarëve, as tek qëndrueshmëria e ekonomisë dhe përfshirja sociale. Qëllimi i vetëm i Qeverisë është të zhvatë qindra milion euro përmes korrupsionit dhe vjedhjes së taksave, që të blejë zgjedhjet, mediat dhe drejtësinë”, tha Meta.

Po ashtu, Meta deklaroi se qeveria nuk ka plan për të zhvilluar Shqipërinë, por të dobësojë opozitën. “Objektivi i vetëm i Qeverisë nuk është të zhvillojë vendin por të dëmtojë dhe dobësojë opozitën dhe opozitarizmin duke investuar para të jashtëligjshme për përçarjen, blerjen apo kapjen e saj, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke shkatërruar institucionin e zgjedhjeve, si dhe duke përdorur politikisht instrumente të pushtetit gjyqësor dhe hetimor. Vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci! Ka ardhur koha që Shqipëria tëndjekë shembullin e shkëlqyer të Kosovës, të funksionimit të demokracisë dhe besimit te vota e lire”, tha në fjalën e tij, kreu i PL, Ilir Meta.

Ish-kandidati për kryetar bashkie bëhet pjesë e PL

Ish-kandidati për kryetar bashkie në Kuçovë, i dalë nga koalicioni Bashkë Fitojmë, Lefter Maliqi është bërë pjesë e kryesisë të Partisë së Lirisë. Lajmin e dha Meta gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të PL-së./ZËRI/

Poll

MOS HUMB