Politikë

Ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit, Balla: Ulim numrin e gradave, iu japim prioritet të rinjve

Ndryshimet pritet të prekin edhe disa drejtori të policisë, që deri tani nuk kanë pasur një mandat të kufizuar

E.K
Ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit, Balla: Ulim numrin e
Taulant Balla dhe Muhamet Rrumbullaku

TIRANË- Ministri i brendshëm Taulant Balla, ka folur për ligjin e ri të Policisë së shtetit, që sipas tij do të pasojë me një reduktim të numrit të gradave në të gjitha nivelet. Sipas tij kjo bëhet me qëllim për t’iu dhënë mundësia efektivëve të rinj, që të rriten dhe të gradohen në detyrë, ndërsa tha se fokusi i tij si ministër do të jetë trajtimi i duhur financiar për të gjithë efektivët.

“Pas kaq shumë viteve reflektim mbi nevojat që ka një proces reformimi i mëtejshëm i Policisë erdhi momenti për një ligj të ri, që të garantojë një sistem karriere brenda policisë së shtetit, të lidhet me rezultat dhe punën e secilit prej punonjësve. Kemi propozuar një reduktim të numrit të gradave të gjithë nivelit të strukturës së gradave në polici, me qëllim që t’i japim mundësi të rinjve që të bëjnë para në karrierën e tyre deri në nivelet më të larta drejtuese të policisë. Pa harruar që fokusi im si ministër mbetet edhe pjesa e trajtimit të duhur financiar dhe vlerësimit të punës së policëve”, tha Balla.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, Balla tha se ligji i ri i policisë së shtetit që pritet të miratohet në Kuvend, parashikon dhe ngritjen e strukturave të reja, që do të bëjnë vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Sipas Ballës, kjo bëhet me qëllim që të shmanget çdo ndërhyrje korruptive në sistem.

“Synojmë bllokimin e çdo lloj ndërhyrje sa i përket procesit të emërimeve brenda policisë. Kemi krijuar disa struktura të reja brenda Policisë së Shtetit, të cilat bëjnë vlerësimin dhe ndihmojnë drejtorin e përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në pozicionet drejtuese”, tha Balla.

Pr.ligji parashikon po ashtu edhe afat në mandatin jo vetëm për Drejtorin e Përgjitshëm, por edhe për drejtorët e Drejtorive të Policisë vendore.

"Kemi futur edhe konceptin e mandatit, jo vetëm drejtori ka një mandat të caktuar kohor, jo vetëm drejtori apo zv.drejtori i përgjithshëm por edhe drejtorët e Drejtorive Vendore kanë një mandat që ndërlidhet me prerformancën, duam të garantojmë një strukturë policore dhe drejtues në nivel vendor që të jenë të sigurt, të fortë dhe udhëheqës në atë mandat që kanë për të garantuar rendit dhe luftë kundër çdo lloj forme kriminaliteti. Ligji i ri do përputhet me pritshmëritë tona për ta vazhduar dhe thelluar këtë revansh në luftën kundër krimit dhe konsolidimin", tha Balla. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB