
TIRANË- Një ditë pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë, ministrat e rinj të kabinetit të kryeministrit Edi Rama janë betuar sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Me dorën në Kushtetutë, secili prej tyre ka përsëritur fjalën: Betohem!, fill pas leximit të formulës së betimit. Kështu, nga sot, Taulant Balla do të zëvendësojë Elisa Spiropalin si Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Vetë Balla do të zëvendësohet nga Ervin Hoxha si ministër i Brendshëm. Në Ministrinë e Financave Petrit Malaj zëvendëson Ervin Meten, teksa Pirro Vëngu zëvendëson Niko Peleshin si ministër i Mbrojtjes.
Kryeministri Edi Rama njoftoi nga Kongresi i Partisë Socialiste që u mbajt të dielën ndryshime të rëndësishme në qeveri, por edhe në grupin parlamentar dhe në krye të Kuvendit. Ai dorëzoi ndryshimet personalisht pasditen e djeshme në presidencë, ku edhe pse një ditë pushimi, u prit në takim nga Bajram Begaj. Për të miratuar ndryshimet në qeveri do të duhen 71 vota që socialistët i kanë, dhe më pas ministrat e rinj do të marrin detyrën.
Më konkretisht në Kongresin e PS-së, Rama propozoi emërimin e Elisa Spiropalit për të zëvendësuar Lindita Nikollën në postin e kryetares së Kuvendit, pasi kjo e fundit dha dorëheqjen për arsye shëndetësore. Ndërkohë, Rama ka larguar edhe Ermonela Felajn nga posti i nënkryetares së Kuvendit, dhe në vend të saj ka emëruar Bledar Çuçin, i cili mbante postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. Në vend të Çuçit, në postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së ka emëruar Niko Peleshin, duke e larguar nga posti i Ministrit të Mbrojtjes.
Gjithashtu, një ndryshim surprizë në qeveri ishte dhe ai i Taulant Ballës. Ky i fundit është larguar nga posti i Ministrit të Brendshëm pas rreth një viti, duke e emëruar në postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në vend të Elisa Spiropalit. Rama ka larguar edhe Ervin Meten nga posti i ministrit të Financave, duke emëruar në vend të tij Petrit Malajn. Ndërkohë, Ervin Hoxha është emëruar ministër i Brendshëm, ndërsa Pirro Vengu është emëruar ministër i Mbrojtjes.
Të tre ministrat e rinj, deri tani mbanin poste drejtuesish në institucionet që janë në varësi të ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjitikës, që drejtohet nga Belinda Balluku. Ervin Hoxha mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Petrit Malaj mbante postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Pirro Vëngu mbante postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit./ZËRI