
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sulmuar Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjatë një konference për mediat, i pyetur nga gazetararja e ZËRI-t, lidhur me deklaratën e djeshme të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili la të nënkuptohej se Meta ishte nën hetim, kreu i PL-së kishte një përgjigje.
Edhe pse fillimisht tha se nuk do ta komentonte, tha se nuk kishte frikë nga SPAK pasi ishte i hetuar gjithë jetën e tij politikë, megjithatë sipas tij deklaratat ishin sulm ndaj tij.
Meta hodhi akuza se prokurorë të lidhur me kryeministrin Edi Rama kanë marrë angazhime personale për ta goditur, duke "korrigjuar" deklaratën e Dumanit. Ky i fundit tha dje se ka prokurorë që flirtojnë me politikën, ndërsa për Metën, prokurorët nuk flirtojnë por janë të krijuar nga politika. E përveç Dumanit, sulmoi edhe drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, duke e quajtur Dumanin një "zar" të tij.
PJESË NGA KONFERENCA:
Zoti Meta një ditë më parë kreu i SPAK nënkuptoi që ju keni nën hetim dhe shtoi se aktualisht për prokurorinë e posaçme nuk kanë më rëndësi ermat por provat. Si e komentoni këtë deklaratë dhe a mendoni se jeni i rrezikuar?
Meta: Nuk kam asnjë koment për këtë deklaratë dhe e di që kam qenë gjithë jetën nën hetim. Ka prokurorë jo që flirtojnë me politikën por që e kanë angazhim personal për t'u marrë me Ilir Metën, e dinë ata shumë mirë. Do jem përballë jush dhe të jeni të sigurtë që nuk ka asnjë forcë që mundet të ç'bëjë Partinë e Lirisë si një parti të të vërtetave të mëdha dhe nuk ka asnjë zar të Arben Rakipit që për të legjitimuar kapjen e reformës në drejtësi, që të godasë Ilir Metën. Lidhur me përpjekjet e Edi Ramës për ta kthyer SPAK në një komisariat policor anti-opozitë për të shkatërruar pluralizmin politik nuk jemi të surpizuar por kam dashur që të identifikoj insticionin nuk flirtojnë me politikën, por janë prodhimi i saj.
Katër spitale të tjera u pajisën me certifikatën e autonomisë spitalore, mendoni se kjo gjë do të përmirësojë situatën?
Meta: Do të më duhej një gjykim më i plotë, duke qenë se nuk jam specialist i fushës.
Dje, nga Shkodra, Altin Dumani la të kuptohej se kishte nisur një hetim për çështjen CEZ-DIA, ndaj kreut të PL-së, Ilir Meta, por shtoi se nuk jepte dot më shumë detaje./ZËRI