
TIRANË- 2 orë debat është zhvilluar në mbledhjen e Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS. "Molla e sherrit" për sot ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha. Në nisje të mbledhjes, nënkryetari i Komisionit, Toni Gogu tha se askush nuk e ka kërkuar thirrjen e tij si dëshmitar, duke pretenduar se ishte në qëllimin e opozitës që ta "lironte" nga masa e arrestit shtëpiak, ku ndodhet prej 31 dhjetorit të vitit të shkuar. Pas tij, ndërhyri propozuesja e emrit të Berishës, Blerina Gjylameti, e cila tha se e gjitha ka qenë ironi dhe ka kërkuar heqjen e emrit të Berishës. Madje shtoi se Salianji kishte përmendur pas saj edhe dy ish-ministra të Brendshëm, Mehmet Shehun dhe Koci Xoxen, duke shtuar pra se e gjitha ishte me qëllimin e ironisë. Teksa maxhoranca debatonte për Berishën, kreu i Komisionit, Ervin Salianji bëri një thirrje publike duke u shprehur se ka informacione se po bëhen lëvizje për të falsifikuar dokumenta të rëndësishme, para se lista e dëshmitarëve të vijnë në Kryesinë e Kuvendit për të dëshmuar.
“Ka një thirrje për institucionet, sidomos për Policinë që të mos falsifikojë proces-verbale apo protokolle apo akte të tjera, që do jenë objekt i këtij Komisioni Hetimor. Unë besoj se një kontribut do ketë edhe nga PS, se dihet se ata e duan shumë reformën në drejtësi,”- tha ai.
Në fund të diskutimeve që zgjatën mbi 2 orë, Komisioni Hetimor për sistemin TIMS caktoi 4 ekspertët që do asistojnë punën e komisionit. Dy ekspertë janë propozuar nga mazhoranca, Dritan Jahaj dhe Vjosa Bodo Mujo, ndërsa opozita kërkoi Kreshnik Myftarin dhe Henri Bicin. Të katër ekspertët u miratuan me të gjitha votat.
Ekspertët
Dritan Jahaj jurist
Vjosa Bodo Mujo juriste
Kreshnik Myftari pedagog
Henri Bici, avokati
DEBATI MES TYRE:

Toni Gogu: Unë e kuptoj që juve në ëndërrën tuaj në sirtar doni që të bëheni gjyqtari i zotit Berisha. Ndoshta doni ti jepni dhe pafajësi, kjo është e drejta juaj, por ky Komision nuk e ka në objektin e punës që ta bëjë këtë gjë. Ky Komision merret me hetimin e veprimtarisë së autoriteteve, të cilat mbrojnë sistemin TIMS. Është e shkuar e zezë mbi të bardhë në objektin e këtij hetimi. Nuk është misioni ynë që të nxjerrim nga mjedise kolegët tanë që vuajnë masat e sigurisë që vendosën nga drejtësia. Bëj thirrje sekretariatit që të fiksojë mirë që plani të jetë i njëjtë me atë që është në procesverbal. Në mënyrë që përpjekja juaj për t'u bërë gjyqtari i Sali Berishës mos ta kthejë këtë komision në qesharak.
Luan Baçi: Të ka zënë frika se del Berisha nga shtëpia.
Salianji: Në mbledhjen e fundit iu thashë që të vini me mendin tuaj. Këto janë deklarata politike, ëndrrat që iu folët nuk janë çështje e ligjit. Nëse keni sherr me njëri-tjetrin, ky nuk është problemi im. Në procesverbal që ua rikthesoj, një kolege zonja Gjylameti, por edhe ju, keni propozuar disa emra. Keni pasur 3 emra si propozime për të dhënë llogari, unë për të pasur konsensus të gjërë dhe për të tejkaluar ndasinë partiake, i pranova. Propozimet për thirrjen e Berishës, Bashës dhe Bardhit i kemi pranuar për të dalë në fund me një produkt të përbashkët. Nuk kam paragjykimin se iu do i dilni në krah krimit, apo keqbërësve. Nuk është faji im që iu tërheq veshin vëllai i madh Edi. Ta mbajmë në seriozitetin që i takon këtij Komisioni. Të mbetemi në fokus. Bashkë me këtë po iu them që kam një thirrje publike për Policinë e Shtetit, të mos ketë guxim askush që të falsifikojë procesverbale, apo protokolle që do të jetë objekt.
Gjylameti: Të marrësh ironinë për të vërtetë, të marrësh retorikën për qëndrim dhe më pas të ndërtosh një fabul të tërë për të nxjerrë Romeon nga ballkoni, unë besoj se është e tepërt. Nuk është në nderin tuaj sado ta dashuroni Romeon. Për këtë gjë nuk ka nevojë që të na tërheqi veshin njeri. Nuk dalim që të themi ç'janë këto dy copëza komisionesh dhe vij ta drejtoj. Kur bëj ironi, ma mbani për të tillë. Dëshmitarët duhet të kenë lidhje me çështjen. Nuk kam problem që të thërras Berishën nëse do të lindë nevoja. Do të hetojmë institucionin, jo individin. Duhet të vijë vetëm të vijë nëse del e nevojshme nga hetimi. Ironinë mos e merr si të vërtetë. Mos e shit si kalorës i pafajsisë. Unë do i qëndroj thirrjes nëse gjatë hetimit del një lidhje. 2023 është një datë, duhet të kuptojmë kush është përgjegjësi nga çfarë ka dalë nga prekja e sistemit TIMS. Dhe një element zoti kryetar, mbasi fola dhe diskutova të thashë më ironi kthehu në vitin 2004. Ironinë kuptoje se po vazhdoj të ta them. Përmende Mehmet Shehun dhe Koci Xoxen, shtoji pra edhe këto emra. Lëri këto njerëz që të mbarojnë punë më drejtësinë pastaj të vijë këtu.
Salianji: Unë nuk lexoj dot ëndrra dhe as metaforat që iu përmendni. Nëse doni ta nxirrni zotin Berisha, kjo nuk është as ëndrra dhe as qëllimi im. Zoti Berisha është Romeo, po aq sa ju jeni Zhuljeta. Unë besoj që me zotin Rama dhe me socialitët nuk bëhet marrëveshje se iu nuk i mbani. Keni ndryshuar mendim se iu kanë tërheqin veshin. Nuk ka asnjë ndryshim nga plani paraprak. Ndërkohë që mbledhja vazhdoi unë thashë që do i pranoj kërkesat tuaja, iu nuk patët asnjë reagim. Po vini këtu pas 2 ditësh. Nëse keni fjetur dhe iu kanë dalë ëndrrat.
Gogu: Kërkesa jonë zoti Sali-Anji është shumë e thjeshtë, të marrësh diskutimet e kolegëve dhe t'i montosh në plan është falsifikim. Pse del nga vetja? Është mërzitur Gazi se e ke thirrur ti? Propozimet tona do të vijë përmes ekspertëve. Kjo tregon hallin tënd. Do ta zbresësh Saliun nga ballkoni, nuk e bën dot.
Salianji: Unë e kuptoj që ju jeni shqetësuar se që nga zhvendosja e drejtorëve që po bëni tek drejtoria e informacionit të klasifikuar, nga falsifikimi i provave dhe protokolleve, duket që jeni të shqetësuar. Këtu ka vetëm një gjë, plani ka dalë në media 2 ditë para se është shpërndarë për të gjithë ju. Ju ka ardhur dhe ju. Po ua them tani dhe po iu ricitoj. "Unë mendoj që duhet të thërrasim dhe zotin Berisha dhe Lulzim Bashën se kanë të bëjnë me TIMS". Të nderuar zotërinj iu ka ardhur me email plani që në datën 5 prill.
Luan Baçi: Po i bie shkurt! Nëse do ta nisim seriozisht këtë komision, e përsërita edhe në mbledhjen e parë, i parapriva një spektakli të tillë. Ne vijmë këtu për t'i dhënë spektakël qytetarëve dhe aspak punë. Më vjen keq që në mbledhjen e dytë ironiuan dhe bënë shaka. Ne jemi mbledhur për një punë shumë serioze. Nuk e kuptoj pse duhet të kemi gjithë këtë debat dhe zhurmë për dëshmitarët. Ju argumentuat vetë që duhen thirrur për arsye se kanë qenë në detyra të rëndësishme. Zonja Gjylameti, nuk e kuptoj pse duhet gjithë ky kundërshtim, duhet të ishim ne kundër. Ka një procesverbal, mbledhjet janë të regjistruara.
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin./ZËRI