
TIRANË- Deputeti i PD-së Flamur Noka, pas përfundimit të Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, deklaroi se mbledhja e Këshillit Kombëtar i shërbeu bashkimit të opozitës. Noka deklaroi se misioni historik i demokratëve është që të kthejnë votën e lirë, e cila, sipas tij, është dhunuar në 10 vitet e qeverisjes së Edi Ramës.
Flamur Noka: Sot për PD-në është një ditë e veçantë, është një ditë historike për demokratët në të gjithë Shqipërinë. Sot është një ditë e zezë për Edi Ramën dhe regjimin e tij. Skenari i tij për të mbajtur të përçarë këtë parti dhe për të mbajtur demokratët në luftë me njëri tjetrin, sot mori fund. Sot Këshilli Kombëtar i PD-së, në lartësinë e detyrës që i kanë ngarkuar demokratët, në lartësinë e detyrës që ka një institucion politik kryesor i një force politike, arriti të përkthejë më së miri, kërkesën e demokratëve dhe të përkthejë më së miri, një nga mesazhet kryesore të protestës së 20 shkurtit.
Bashkimi është gjithçka për demokratët dhe pas këtij vendimi për të bashkuar dhe unifikuar demokratët nga qendra në bazë ne jemi në një etapë të re. Tashmë të gjithë të bashkuar do të vërshojmë cep më cep të Shqipërisë, për të justifikuar këtë besim te demokratëve dhe për ti shkurtuar regjimit më kriminal dhe korruptim, ditët. Pas këtij bashkimi të opozitës kemi një mision historik përpara, të rikthehet vota e lirë. Prej 10 vitesh shqiptarët nuk votojnë të lirë, prej 10 vitesh regjimi kriminal dhe korruptiv i Edi Ramës, blen dhe vjedh votën. Ky është një mision historik i yni dhe që të rikthehet vota e lirë, do të duhet se sbën një qeveri teknike. Kjo do të jetë motoja e betejës dhe aksionit tonë. Shqipëria duhet të çlirohet nga kjo zgjedhë barbare dhe Shqipërisë duhet ti rikthehet edhe vota dhe liria.