
TIRANË- Partia Demokratike iu kundërpërgjigj kallëzimit penal ndaj deputetit Bledion Nallbati me një tjetër kallëzim penal ndaj deputetit Vullnet Sinaj. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar penalisht në SPAK për “goditje për shkak të detyrës” deputetin socialist, ndërkohë që edhe sot e njëjta akuzë është ngritur edhe nga Sinaj.
"Qysh prej fillimit të sesionit të ri parlamentar, grupi parlamentar i Partisë Demokratike është përballur me cënime të rënda të të drejtave kushtetuese dhe atyre ligjore dhe më konkretisht, për zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar, caktimin e përfaqësuesëve në Komisionet e ngritura për reformën zgjedhore, si dhe me mohimin e të drejtës kushtetuese që ka pakica parlamentare për ngritjen e Komisioneve hetimore parlamentare,"-shkruhet në dokumentin e dorëzuar në SPAK.
Lidhur me këtë lajm, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thekson se ditët në vijim do të paraqesin të tjera kallëzime penale për deputetë të PS-së. Por nuk përmendi emra.
Pyetje: A do bëni kallëzim në SPAK, ashtu sikurse PS-ja dërgoi Bledjon Nallbatin?
Gazment Bardhi: Në fakt, ne e kemi çuar në SPAK. Ajo që sot ka dalë si lajm është përgjigje e kallëzimit tonë dje ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj për “goditje për shkak të detyrës” dhe “shpërdorim detyre” dhe në ditët në vijim të jeni të sigurtë se do të ketë kallëzime të tjera për deputetë të tjerë të Partisë Socialiste.
Në seancën plenare të të hënës, opozita bllokoi Foltoren, kështu që deputetët e maxhorancës e morën fjalën nga vendi. Të vendosur për t'i ndalur, deputetët e Partisë Demokratike shkonin dhe iu hiqnin kartat nga mikrofoni, e teksa Nallbati shkoi tek Sinaj, ky i fundit e shtyu. Kaq mjaftoi për të nisur një përplasje fizike mes tyre, ndërsa Nallbati e ka qëlluar me grushta.
Si pasojë e sjelljes së tij gjatë seancës parlamentare, Nallbati është përjashtuar 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa lidhur me ngjarjen, ka zgjedhur që të mos e komentojë gjatë. Ndërsa vetë Sinaj tha se e kishte falur kolegun, por shtoi se nëse grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ndërmerrte ndonjë vendim tjetër (si në rastin e kallëzimit në SPAK), ai do t'i mbështeste./Zëri.ai