
TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ministren e re në qeverinë Rama, Adea Pirdenin, e cila do të drejtojë Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Emërimi i saj është bërë pak orë para seancës në Kuvend, ku në rendin ditës parashikohet votimi i dy ministrave të rinj.
Pirdeni, aktualisht mban postin e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe të zv. kryenegociatores me Bashkimin Evropian.

KUSH ËSHTË ADEA PIRDENI
Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983. Ajo ka përfunduar studimet në drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, prej të cilit zotëron edhe një diplomë të studimeve Master në të Drejtë Publike. Në vitin 2014 ka fituar titullin Magister Juris (MJur) me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit dhe prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës.
Ajo ka kryer vizita studimore në kuadër të programeve të shkëmbimit pranë Universitetit Humboldt Berlin (Gjermani) dhe pranë Universitetit të Kansasit (ShBA).
Që prej vitit 2008, Pirdeni angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative. Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi, për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.
Në vazhdën e eksperiencave profesionale, Pirdeni ka shërbyer ndër vite si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës së Avokatisë së Shqipërisë dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike /ZËRI