
TIRANË- Kandidatët e Partisë Socialiste për deputetë kanë zgjedhur që të tërhiqen nga kërkesa e tyre për të riparë pamjet e numërimit të votave preferenciale të qarkut të Tiranës. Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia kanë tërhequr kërkesën e tyre drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të parë pamjet filmike të numërimit të votës preferenciale. Vendimi i tyre vjen pak orë pas mesazhit nga kryeministri Edi Rama u kërkoi që të mos vijonin më tej me pretendimet e tyre.
Ndërkohë që sot, në një deklaratë për mediat, nga Parku Olimpik ku edhe po numëroheshin votat e Diasporës, Taulant Balla u shpreh se të drejtën për ankime e kanë vetëm partitë politike.
“Kodi Zgjedhor i ka të përcaktuara procedurat që ndiqen në këto raste. Falë përpjekje të PS kur ishte në opozitë për të bërë transparencë në procesin zgjedhor, në një fazë të dytë pas këtij momenti është vetë KQZ që përzgjedh një pjesë të kutive të votimit, 1/10 që do bëjë transparencë. Ti lëmë KQZ ta bëjë këtë transparencë. Kodi Zgjedhor e ka të qartë që palët që mund të bëjnë ankime e kanë partitë politike.
Ajo që unë thashë dhe që vlen të theksohet është se secili ka të drejtë të bëjë transparencë, por falë parashikimeve të vendosura në Kodin Zgjedhor prej shumë vitesh është KQZ që do të bëjë një transparencë të këtij procesi në një fazë tjetër. Palët që kanë pretendime ka një mënyrë si bëhen këto pretendime. Unë insistoj që transparencë në këtë këndvështrim edhe për shkak të orëve të gjata të pamjeve filmike, më mirë sesa e ka bërë KQZ nuk e bën askush. Duroni kur ta bëjë KQZ. Unë insistoj t’ju them që ankimimet bëhen nga partitë, kërkesat për transparencë e ka të drejta të bëjë, por si këshillë në këto beteja elektorale këtë gjë e bën KQZ,”-tha Balla.