
TIRANE- Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e 5 deputetëve nga radhët e opozitës, pas kaosit të krijuar në seancën parlamentare të ditës së enjte, e cila u zhvillua në të njëjtën kohë kur jashtë Kuvendit mbahej një protestë nga mbështetësit e Rithemelimit. Sekretariati i Etikës vendosi të përjashtojë me 10 ditë deputetin e Partisë Demokartike, Flamur Nokën. Ndërsa sa i përket 4 opozitarëve të tjerë Gazment Bardhi, Edi Paloka, Ervin Saljanji dhe Luan Baçi, nuk u mor asnjë masë.
PS kërkoi përjashtimin e Gazment Bardhit, Luan Baçit, Flamur Nokës, Edi Palokës dhe Ervin Salianjin. Vendimi do të merret në orën 13:00 në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës.
Kaosi erdhi pas kërkesës së Bardhit për rikthimin e Sali Berishës në grup parlamentar demokrat, kërkesë kjo e cila gjeti kundërshtimin e shumicës, me argumentin se duhet të ketë një vendim partie, të PD-së së Lulzim Bashës. Kujtojmë se me ndryshimin e rregullores së Kuvendit, vetëm me votat e mazhorancës, një deputet mund të përjashtohet deri në 60 ditë.
KËRKESA E SOCIALISTËVE
Seanca Plenare e datës 06.06.2024 nisi me zhurma dhe bllokim të foltores nga deputetët e opozitës.
Disa nga deputetët cënuan rregullin duke zaptuar foltoren si dhe nuk lejuan që seanca plenare
të fillonte normalisht sipas rendit të ditës. Deputetët Flamur Noka, Gazmend Bardhi, Luan Bali, Ervin Salianji, Edi Paloka, i'u drejtuan foltores duke e bllokuar atë e duke mos lejuar vijimin normal th seancës. Edhe pas thirrjeve nga Kryetarja e Kuvendit për t’iu kthyer normalitetit, përsëri deputEtët mbanin foltoren e bllokuar duke detyruar Drejtuesen e Seancës të kërkonte pushim.
Me rifillimin e seancës deputetët Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Ervin Salianji, Luan Baçi, i'u drejtuan foltores duke e bllokuar atë dhe duke mos lejuar zhvillimin e debatit në pikën e parë të rendit të ditës “Raporti Vjetor i veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit (ERRU)”, debat i cili u kërkua nga vetë deputetët e opozitës.
Deputeti Flamur Noka që në nisje pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke mbajtur të bllokuar foltoren dhe mikrofonin. Deputeti ka përdorur disa herë fjalë të rënda fyese e kërcënuese ndaj Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të cilët mbajtën fjalën e tyre nga vendi për shkak të bllokimit të foltores.
Gjithashtu z. Noka i ndërpreu fjalën deputetit të Partisë Socialiste z. Nasip Naço dhe u konfliktua me punonjësin e sigurisë i cili ishte aty pranë.
Kryetarja e Kuvendit i tërhoqi disa herë vëmendjen z. Noka për sjelljen e tij duke i kërkuar që të riktheheshin në normalitet, por sjelljet e tij vijuan të jenë të njëjta, duke detyruar Kryetaren t”i japë masë disiplinore “përjashtim nga seanca plenare”.
Deputeti Gazment Bardhi me sjelljen e tij pengoi zhvillimin normal të seancës plenare duke mbajtur të bllokuar foltoren dhe duke mos lejuar drejtuesin e ERRU-së të mbante fjalën e tij. Gjithashtu z. Bardhi i'u drejtua Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave me gjuhë jo parlamentare dhe fjalë fyese.
Këto sjellje të deputetëve të opozitës të cilat cënojnë dhe pengojnë zhvillimin e rregullt të seancës plenare, janë në shkelje të rëndë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Nisur nga sa më sipër në mbështetje të Rregullores së Kuvendit; neni 63, pika 1 gërma d), dhe neni 65/1 pika l gërma a) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë , si dhe në mbështetje të nenit 3, gërma dh) dhe ë), nenin 8, pika 2 gërma b) të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Flamur Noka, Gazmend Bardhi, Luan Bali, Edi Paloka dhe Ervin Salianji, sipas nenit 65/1 Të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat. Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.