Politikë

Piruetat e Gazment Bardhit!

ZËRI ka përmbledhur një më një të gjitha deklaratat e bëra publikisht nga Gazment Bardhi për kolegët që dikur i sulmonte dhe që sot i ka në krah!

k.m.e.k.
Piruetat e Gazment Bardhit!
Gazment Bardhi, Sali Berisha, Flamur Noka, Lulzim Basha

TIRANË- Gazment Bardhi ishte jurist në Ministrinë e Drejtësisë në kohën kur Enkelejd Alibeaj pa diçka tek ai dhe i zgjati dorën për t’ju bashkuar selisë blu. Kështu nisi dhe aktivizmi i tij në politikë pranë Alibeajt dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit ndoshta nuk e mendonte sesa larg do të shkonte demokrati i ri, por Bardhi e ka pasur të qartë ambicien e tij politike, dhe e arriti. Për shumë pak kohë u kthye në një nga figurat me më shumë pushtet në selinë blu, duke u konsideruar shpresh si krahu i djathtë i Bashës. Aktivizmi i tij kapi majat kur nisi valën e denoncimeve dhe ‘dogji’ disa kryebashkiakë socialistë në zgjedhjet 1 partiake që u mbajtën në vitin 2020. Shpejt dhe me ashpërsi fitoi edhe postin e Sekretarit Organizativ, pra me pak fjalë për pak kohë arriti shumë. Madje edhe provoi për 3 muaj ndjesinë e ministrit, edhe pse teknik.

Gjithçka ishte mirë e bukur derisa një rrufe ra në qiell të hapur; ishte “non grata” e Sali Berishës. Krahun që duhet të mbante e kishte të qartë, sigurisht pranë Lulzim Bashës. Kjo zgjedhje që bëri, e izoloi brenda selisë blu të blinduar edhe kur Berisha me të tijët e sulmuan me drurë dhe ngjisnin shkallët për të hyrë brenda. Luftë ishte jashtë, luftë kishte edhe brenda me deklarata të forta nga secila palë. ZËRI ka përmbledhur një më një të gjitha deklaratat e bëra publikisht nga Gazment Bardhi për kolegët që dikur i sulmonte dhe që sot i ka në krah! Nisi me Berishën, vazhdoi me Flamur Nokën, e sot ka përballë Lulzim Bashën, të cilit dikur i ruante krahët. E gjithë kjo tragji-komendi ngjan me aktet e një drame, ndaj uluni dhe shijojeni!

Piruetat e Gazment Bardhit!
Dalja e fundit e të treve bashkë

AKTI I PARË- Një “non grata” mes nesh? Kurrë!

I prekur shumë nga mbrojtja që Sali Berisha po i bënte vetes, Bardhi nga ana tjetër shkruante se nuk kishte fyerje më të madhe për një parti properëndimore, sesa që zyra e shtypit e partisë të shpërndante zyrtarisht lajme kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, në vend të lajmeve dhe deklaratave kundër regjimit të Edi Ramës. I kishte të ndara frontet dhe shkruante se beteja me SHBA-të, është betejë personale e Sali Berishës!

“Vijimi me kokëfortësi në rrugën e njëanshmërisë, të përjashtimit dhe mbylljes së partisë, nuk është rruga drejt bashkimit, por është rrugë me vetëm një drejtim: përçarjen. Kjo rrugë i shërben vetëm Edi Ramës dhe forcimit të regjimit të tij. Në vend të reflektimit një grup individësh të vetëzgjedhur, dhe të vetëshpallur si drejtues të partisë, nën emrin Komisarë të Komisionit të Rithemelimit, janë duke vijuar një proces të njëanshëm dhe përjashtues, të gjoja organizimit të partisë, me emërime në kundërshtim me Statutin në çdo nivel lokal të partisë. Nga ky proces mbeten të përjashtuar me mijëra demokratë që kanë sakrifikuar më shumë se kushdo tjetër këto 8 vite, thjesht se kanë një mendim ndryshe nga komisarët. Ky proces i njëanshëm dhe përçarës është dëshmi e plotë e një lëvizje që qëllim të vetëm ka marrjen peng të PD për qëllime private të një individi, dobësimin e Partisë Demokratike dhe forcimin e regjimit të Edi Ramës. Ashtu si edhe është provuar këto ditë, PD dhe zyrtarë të saj kanë me dhjetra deklarata kundër SHBA dhe zero deklarata kundër Edi Ramës. Kjo zhvendosje e betejës nga Edi Rama tek SHBA, tregon se si do të jetë PD me një “non-grata” brenda saj. Nuk ka fyerje më të madhe për një parti properëndimore, që zyra e shtypit e partisë të shpërndajë zyrtarisht lajme kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, në vend të lajmeve dhe deklaratave kundër regjimit të Edi Ramës. Beteja me SHBA nuk është beteja e demokratëve dhe as qytetarëve shqiptarë, që vuajnë çdo ditë nga keqqeverisja e Edi Ramës. Ajo është beteja personale e z. Berisha dhe duhet të mbetet betejë vetëm e tij. Demokratët kanë nevojë ti kenë në krah SHBA, për të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë.”

Përçarja u thellua me sulmin që ndodhi në selinë blu. Për Bardhin kishye vetëm një fajtor: Sali Berisha, madje dhe ia bëri të qartë se Partinë demokratrike nuk e kishte pronë. Ndër rreshta i bëri dhe akuzën më të rëndë për të gjithë karrierën politike të Berishës, ‘bashkëpunimin’ e fshehtë me Edi Ramën.

Bardhi për Berishën: Individi është sebepi i kësaj që po ndodh. Deri në 9 shtator, nuk kishte asnjë problem. Keni dëgjuar ndonjë të fliste për kreun e PD që ishte autokrat, kishte mbyllur partinë, asnjë nuk ka ngritur një shqetësim të tillë. Më 9 shtator u shfaqën që kishte shumë probleme PD, Basha u shpall armik, lidershipi i PD që nuk mendon si Berisha shpallet armik, apo peng të Ramës. Akuza që as Berisha nuk i mendon vetë. Lëvizja e Berishës për të dëmtuar PD, për të përcarë PD është oksigjen për Ramën. Njeriu më komod me situatën në PD prej Berishës është Edi Rama.

AKTI I DYTË-Shtëpia e demokracisë…do bëhej kullë?

Më 12 janar 2022, selia e Partisë Demokratike u raportua se ishte projektuar që të kthehej në një në një territor të përshtatshëm për ngritjen e kullave. Sipas projektit të “ MGS Architecture”, në truallin e PD do ngriheshin disa kulla të larta që do të shërbenin si njësi banimi dhe apartamente luksoze.

“Kullat i kam dëgjuar 8 ditë para protesës. Më thotë një gazetar se kam të dhëna se ky (Basha) e ka shitur selinë për kulla. 2-3 vjet para më merrte në telefon një pjellë e familjes Toptani. Donte takim. Më shkonte mendja se mund të kishte punë me territorin. I bëra një mesazh që t’u drejtohej institucioneve. Ai nuk kërkoi më ndihmë. I ka zgjidhur me Lulzim Bashën dhe ka bërë parkun e 4 hajdutëve. E maskojnë vjedhjen me ‘Parkun e 4 kullave të Lirisë. Fusha, Rama, Basha dhe Veliaj nga një kullë secili. Projektin zhvillimor e ka ‘Fusha sh.p.k.’ sepse është institucion. Është kompleks që fillon nga Kisha dhe përfundon te xhamia. 4 kulla na çojnë në qiellin e shtatë. Janë 4 hajdutë,”- deklaroi Berisha 

Përgjigjen e mori nga…Bardhi! Pretendimet e Berishës i kishte marrë me humor, por shpejt e ktheu seriozitetin duke ia listuar edhe njëherë akuzat dhe duke i vendosur një kryq të madh mbi figurë.

Piruetat e Gazment Bardhit!

Bardhi për Berishën: Qesha pa fund me mashtrimin e sotëm të Sali Berishës. Na akuzon ne se po japim godinën e PD për ndërtim!!! Turp e faqja e zezë, deri ku shkon ligësia, mashtrimi dhe sajesat e një njëriu që ka humbur arsyen. Asnjë mashtrim i Sali Berishës nuk zhbën dot dy të vërteta: dhunën e Sali Berishës ndaj PD në 8 Janar, dhe konfirmimin e sotëm për vendosmërinë e SHBA për të bashkëpunuar me PD për të ardhmen e Shqipërisë dhe kryqi i madh i zi që i kanë vënë Sali Berishës prej kohësh. Nga 18 Dhjetori ku demokratët lanë pas të shkuarën dhe zgjodhen të ardhmen, Partia Demokratike ka vetëm një mision: mbrojtjen e interesit publik dhe rikthimin në pushtet të PD, si e vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë.

AKTI I TRETË- ASGJESIM “BABALLARËSH POLITIKË”

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, iu rikthye në mendje kryedemokratit Berisha, por publikisht i kërkoi që të shkonte në SPAK (atje ku përfundoi vetë) që të jepte sqarime. Aq të ashpër e kishin betejën, saqë Berisha e paralelizoi me socialistin Taulant Balla.

“Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij, unë e kuptoj luftën që bën për të shpëtuar shpirtin, por prapë është i pashpresë. Të zbardhë njëherë, të mos i thurë lavde SPAK-ut, të zbardhë rolin që ka pasur në vrasjen e Elbasanit, Bardhi dhe Balla janë përgjegjës politik për atë gjakderdhje që ndodhi. Të shkojë dhe të japë sqarime,”-tha Berisha për Bardhin.

Deputeti demokrat Gazment Bardhi iu përgjigj në Twitter, duke e pagëzuar me emrin e ri “Babi i Zenit” dhe duke i përdorur të njëjtën kartë si kundërshtarët e tij politikë. Atë të Gërdecit. Më shumë ia përmendi Bardhi-Berishës tragjedinë, sesa ia kanë përmendur socialistët ndër vite.

Piruetat e Gazment Bardhit!Piruetat e Gazment Bardhit!Piruetat e Gazment Bardhit!Piruetat e Gazment Bardhit!

“Babi Zenit” të pres me qetësi përfundimin e hetimit, dhe do kuptojë që unë as braktisë e as mohoj askënd. Ai duhet të ndjehet i turpëruar që barazoi sakrificën e demokratëve me Bandat e Elbasanit. Unë nuk jam “Babi i Zenit”, që nuk e njeh baxhanakun e tij për të mbrojtur Zenin!”, shkruante Bardhi.

Në këtë kohë, Bardhi nisi një betejë në 2 fronte, pasi më 12 mars 2022 si sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi kërkoi edhe dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha nga drejtimi i PD. Beteja mes tyre nisi butë për t’u zhvilluar më pas furishëm në të njëjtat akuza si me Nokën. Në kohën e lirë, duket se demokrati u numëronte vilat kolegëvt. Por Bashës ia tha publikisht në Kuvend atë që kishte mbajtur brenda vetes prej vitesh. Në fakt, opozita synonte të shtonte presionin mbi Edi Ramën në lidhje me qëndrimet e tij për Kosovën, por seanca e sotme pati si kryefjalë akuzat për kullat dhe apartamentet në Tiranë. Ishte Lulzim Basha që e ndezi debatin me kullat, pasi kërkonte postin e kryetarit të grupit parlamentar, që aktualisht e mban Gazment Bardhi. Dhëmb për dhëmbë e sy për sy, Bardhi foli shumë pa dhënë fakte.

“Parafolësi ka marrë dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, dhe kur vjen këtu për të akuzuar kolegët për aleanca kullash, numëro njëherë katet në kullën më të shtrenjtë të Tiranës,”-u shpreh Bardhi.

Megjithatë si në rastin e Nokës, edhe ky debat ishte shterpë, pasi edhe i pyetur nga ZËRI nuk nxorri kurrë asnjë provë për atë që tha. Fjalët e tij edhe në këtë rast…i mori era!

AKTI I KATËRT- TJETËR ARMIK NË SKENË

Berisha nuk ishte i vetmi kundër Bardhit, si gjithmonë, ndërhyri edhe Flamur Noka. I njëjti me të cilin sot, zhvillon takime për të bashkuar demokratët qytet më qytet. Por nëse Berishën e akuzoi për ‘asgjë të re’, për Nokën kishte edhe më shumë për të thënë… Më shumë sesa dihej.  E akuzoi për miqësi me Shefqet Kastratin, një nga ata personazhet që opozita i cilëson si ‘oligarkë’ por edhe i përmendi edhe një vilë 760 mijë euroshe (sigurisht e padeklaruar) në Gjirin e Lazit.

Piruetat e Gazment Bardhit!

Bardhi për Nokën: Një përgjigje e detyruar për Flamurin e keqpërdorur të opozitës së rreme. Shumë miq më thonë të mos e marr seriozisht Flamur Nokën për shpifjet që shpërndan herë pas here. Por nuk do të hesht më pas serialit të ri të shpifjeve, të nisur ditët e fundit ndaj meje dhe disa kolegëve të tjerë. Ndryshe prej tij, ne nuk kemi ngritur flamurin e opozitarizmit të rremë. Kur denoncojmë korrupsionin dhe paligjshmërinë nuk selektojmë në “tanët” dhe “të tyret”. E kuptoj që kjo e shqetëson Flamur Nokën, prandaj ka gjetur një shpifje të re ndaj meje, duke më akuzuar se denoncoj oligarkët për t’u vendosur gjoba atyre!!! Le t’i marrim me radhë dhe e nisim nga denoncimi im i fundit për të cilin grupimi i Flamur Nokës nuk ka hapur gojën akoma. Kujt i paskam vënë gjobë unë me denoncimin për katet shtesë pa leje në 14 Korrik në parlament? I kam vendosur gjobë Shefqet Kastratit, mikut të Flamur Nokës? Meqë falet çdo javë te lala i Edi Ramës, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë! Nuk habitem që Flamur Noka është shqetësuar nga denoncimi që i kam bërë paligjshmërisë së Kastratit të Edi Ramës me Kullën përballë Partisë Demokratike. Nuk habitem as nga porosia që i kanë dhënë për të shpifur ndaj meje. Nga personi që akuzoi demokratët e Kukësit se ishin të orkestruar nga Edi Rama për protestat kundër traut të Kastratit në Rrugën e Kombit dhe bëri çdo gjë për shuarjen e tyre, mund të presësh gjithçka. Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë. Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderat në shëndetësi. Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë. Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar. Në gjithë karrierën politike nuk ka ndodhur kurrë të kem qoftë edhe një kontakt të rastësishëm me ndonjë oligark apo përfaqësues të botës së krimit. Kur kam hyrë në politikë me besimin tek njerëzit e zakonshëm, tek ata do të mbështetem deri në ditën time të fundit në politikë. Prandaj, sot jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, aq më pak i oligarkëve dhe kriminelëve. Investimi im kryesor është tek dija. Nuk kam as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe, mbi të gjitha, nuk jam peng i asnjë financuesi apo krimineli, që ditën punon me Qeverinë, ndërsa natën financon flamurin e opozitarizmit të rremë. Për Flamur Nokën kam një premtim: sa më shumë të shpifë, aq më shumë të verteta do jem i detyruar të them!

Sigurisht që edhe kundërpërgjigjie pati. Noka iu kthye Bardhit duke i përmendur edhe njëherë sesa i afërt ka qenë me Bashën, ndërsa i “përplasi” në fytyrë se Sali Berisha ishte kryetari i PD-së.

Noka për Bardhin: Ata oligarkë që ti mendon se i sulmon Gaz Bardhi, jam unë dëshmitar që u rrinte mbas dere me Lulzim Bashën, me dorën shtrirë për të mbushur thesin. A doje të ta them unë? Ke parë një aferë, që kur u ul në atë karrige Sali Berisha, oligark apo jo oligark, që të mos jetë sulmuar dhe të jetë në qendër të sulmeve të opozitës? Që nga data 25 mars, që Sali Berisha ka hyrë në atë seli dhe u bë kryetar partie në këto 4 muaj, që është bërë një aferë dhe është sulmuar ajo aferë dhe është sulmuar nga të tjerë përveçse nga Sali Berisha? Nuk është heshtur.

AKTI I FUNDIT-ZBUTJA E 'KRYENEÇIT'

3 SHKURT 2023! Një datë që duhet mbajtur mend mirë, jo nga ne, por nga Gazment Bardhi. Me zë e figurë doli dhe kërcënoi se do të largohej nga politika nëse Sali Berisha do të bëhej kryetar i Partisë Demokratike dhe kandidat për kryeministër në vitin 2025. Pjesa e parë është ende e vlefshme dhe deri më tani nuk kemi parë ndonjë akt vetëflijues nga demokrati. Përkundrazi, shkoi edhe vetë me të tjerët poshtë dritares së Berishës për ta përshëndetur. Edhe buzëqeshjen nuk e fshehu dot kur Berisha e përshëndeti dhe e krahasoi me një luan! Shkurti i 2023 është pak larg, ndaj e kujtojmë edhe njëherë se çfarë ka thënë zoti Bardhi.

Bardhi për Berishën: Unë do të vazhdoj të jem në PD, nuk ka asnjë diskutim. Nuk bëhem pjesë e asnjë lëvizje për asgjë të re. PD është partia që më ka dhënë statusin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe unë do të mbështes, votoj dhe punoj gjithmonë për PD. Sigurisht, nëse zoti Berisha do të jetë kryetari i PD dhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025 apo kurdo qofshin zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme unë e mbyll karrierën time si përfaqësues i demokratëve në Kuvendin e Shqipërisë duke vazhduar të kontribuoj si një anëtar i thjeshtë i zakonshëm në PD. E mbyll me vullnetin tim të lirë. U qëndroj atyre gjërave që kam thënë sesi e shoh unë të ardhmen e PD, që përmes PD të ketë të ardhme Shqipëria.

Por gjithë këto vite në politikë, nga Bardhi kemi mësuar diçka! Nuk mban inat! Ndaj më 23 maj 2023 nisi zbutja e toneve me Berishën. Nëpër të, bënte ndonjë deklaratë gjasme të vrazhdë, duke u hequr se nuk kishte kontakte por koha tregoi të kundërtën.

Bardhi për Berishën: Me Berishën nuk kam pasur kontakt. Nuk kam shqetësim të takoj askënd për të biseduar. Ne ulemi me kundërshtarin tonë sepse interesi publik e kërkon këtë.  Për interes publik unë do jem i detyruar të ulem me kundërshtarët e mi politikë. Nuk më ndalon asgjë që të ulem me çdo opozitar për të mirën e përgjithshme. Unë as nuk afroj e as nuk largoj askënd nga PD. Ajo që na ka ndarë me Berishën ka qenë rruga që do ndjekë PD-ja për t’u forcuar. Përplasja me SHBA-në nuk e forcon PD-në, por e dobëson dhe unë nuk mund të jem në të njëjtën linjë. Askush nuk ka asgjë personale me askënd. Non-grata është qëndrim i SHBA-së dhe askush nga ne nuk e zhbën apo kundërshton.

Kështu nga dalja e fundit publike me Berishën, më 18 dhjetor 2020; sot Gazment Bardhi po projektohet si lideri i ri i opozitës. Mund ose dhe s’mund të ketë shumë të dhëna për të udhëhequr demokratët, por diçka nuk e ka; stabilitetin në deklaratat publike. Por ka mësuar nga më i miri pasi edhe vetë Sali Berisha nuk është njeriu i duhur për të gjykuar. Po të numërosh herët që ka sulmuar Ilir Metën e humb numërimin./ZËRI

Poll

MOS HUMB