
SHKODËR- Kryeministri Edi Rama është shprehur se prania e kryebashkuakëve të djathtë në mbledhjen e zhvilluar sot në Shkodër nuk është tregues për një bashkëpunim mes tij dhe kryedemokratit Sali Berisha. Ai u shpreh se nuk i ka parë si altoporlantë partie, por si drejtues të komunitetit të tyre. Kreu i qeverisë madje shtoi se bindjet e tyre janë personale që nuk preferon t’i diskutojë, por që i kanë dhënë përshtypjen se nuk vënë ‘karrocën para kalit’, duke nënkuptuar partinë.
"Përsa i përket pranisë së kryebashkiakëve të Opozitës, më duket krejt normale. Janë kryebashkiakë, nuk janë altoporlantë partie. S’i kam parë të tillë. Unë vetë kam qenë kryetar bashkie dhe nuk mund të jesh i tillë nëse nuk ankohesh pse nuk merr më shumë. Dikush tjetër mund të thotë që ne meritojmë më shumë, por e vërteta është se ne nuk kemi arsye t’i shikojmë kryetarët e bashkive si përfaqësues partish. Ju thoni të djathtë por mua s’më duken të tillë fare. Ata bëjnë punën e tyre dhe kaq, nuk e vënë karrocën para kalit, por vënë kalin para karrocës. Përsa kohë e bëjnë këtë, bëjnë gjënë e duhur për komunitetin e tyre. Ndërsa bindjet e tyre janë të tyret,"- tha Rama.
Mbledhja u mbajt pranë stadiumit “Loro Boriçi”, ndërsa krahas kryebashkiakëve të majtë në mbledhje ishin të pranishëm edhe kryebashkiakët e djathtë, Hilë Curri kreu i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Rrok Dodja, kreu i bashkisë Pukë, Fisnik Qosja, kreu i bashkisë Kavajë, si dhe kreu i bashkisë Mirditë Albert Melyshi.