TIRANË-Me debate është shoqëruar mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve, ku diskutua ligji për prodhimin dhe shitjen e armëve. Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve Dhurata Çupi, debatoi ashpër me socialistët në lidhje me ligjin për krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin e armëve, duke argumentuar se po shkelen të gjitha procedurat. Çupi në debat e sipër me Klotilda Bushkën, tha se nuk ka asnjë studim dhe vlerësim se çfarë fiton shteti në këtë çështje, ndërsa tha se nuk ka as vlerësim për pronat e ushtrisë që do t’i përdorni për këtë shoqëri.
“Ligji për krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin e armëve së pari shqyrtohet pa respektuar procedurën dhe afatet e rregullores së Kuvendit. Rregullorja përcakton afatin e shqyrtimit pasi të kenë kaluar 2 javë nga depozitimi. Se dyti; kjo shoqëri do të bazohet në një projektligj që ende nuk është miratuar në Kuvend. Një turp! E treta një shoqëri që krijohet pa përcaktuar sa përqindje do të këtë partneri jo publik në këtë shoqëri. Perse ju duhen 6.5 milionë euro për krijimin e kësaj shoqërie? Perse nuk keni përcaktuar sa janë vlerësuar pronat e ushtrisë që do ti përdorni për këtë shoqëri? Ky ligj është klientelist, i porositur, dhe akti i radhës i kësaj mazhorance për të krijuar një skemë vjedhje. Ju po vidhni leket e shqiptareve për t’i përdorur për partinë shtet nesër në zgjedhje”,-tha Çupi.
Qeveria do të ngrejë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes (AIM) e cila në mënyrë ekskluzive do të licencojë subjektet për prodhimin dhe tregtimin e armatimit ushtarak ndërsa pr/ligji ka për qëllim garantimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së këtyre aktiviteve si dhe rregullimin e veprimtarisë të të gjithë subjekteve që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Votimi i projektligjit për prodhimin e armëve do të bëhet me 25 korrik, pavarësisht kundërshtimit të opozitës. Në pr/ligj thuhet se kompanitë duhet të investojnë të paktën 25 mln euro dhe duhet të planifikojë një investim të drejtpërdrejtë brenda vitit të parë të aktivitetit prej 5 milion Euro. Drejtori, struktura dhe organika e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes miratohen me urdhër të kryeministrit e propozim të ministrit të Mbrojtjes./ZËRI