
TIRANË- Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato në deklaratë për shtyp me kryeministrin Edi Rama teksa i ka dorëzuar progres-raportin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Raporti i 2024 për Shqipërinë, sipas ambasadorit, ofron orientim të rëndësishëm, rekomandimet dhe masat për vitin që vjen. Në fjalën e tij, Gonzato nënvizoi se në raport theksohet domosdoshmëria për të vijuar luftën kundër korrupsionit, por edhe theksoi se në vend duhet dialog politik.
“Raporti ofron qëndrim të drejtë se ku qëndron vendi. Disa nga gjetjet kyçe të raportit. Sa i përket kriterit politik raporti vlerëson funksionin e ligjit pjesërisht të kënaqshme. Edhe për shkak të mangësive të pa trajtuara në procesin zgjedhor. Mesazhi kryesor është nevoja urgjente për një dialog konstruktiv. Funksioni i gjyqësorit zë hapësirë të madhe, funksioni zënë disi progres, shqetësimet mbeten për ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Raporti jep rekomandime për të trajtuar çështjet. Korrupsioni shihet si një shqetësim serioz edhe pse raporti vëren një punë konkrete. Komisioni sheh përpjekje për përmirësim në luftën kundër korrupsionit. Duhet përparim. Kur vjen fjala për luftën kundër krimit është bërë disi progres sërish falë SPAK që ka rritur kapacitetin në luftën kundër pastrimit të parave,”-tha ambasadori i huaj në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë të përbashkët për mediat me ambasadorin Gonzato, kryeministri Rama është shprehur se ky është raporti më pozitiv që Shqipëria ka marrë ndër vite nga Komisoni Europian. Më pas të dy iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve në sallë duke u ndalur më gjatë tek aksioni i opozitës dhe mundësia për një dialog politik mes palëve.
Gonzato u pyet edhe lidhur me tensionet e krijuara, ku nënvizoi se opozita duhet të ulet në tryezë dhe se dhuna nuk është forma e duhur për të gjetur zgjidhje.
“Kur jam pyetur për situatën publike, duke pasur parasysh reformat që duhet të marrë Shqipëria, që janë për të ndryshuar mënyrë se si funksionon e gjithe shoqëria, opozita duhet të ulet në tryezë. Jam përpjekur të bëj thirrje dhe ta mbaj të përfshirë opozitën. Pak ditë më parë kam thënë që suksesi i Shqipërisë është pronësi e të gjithëve dhe të gjithë duhet të jenë autorë. Ka mënyra për të shprehur mospajtim. Nuk mendoj se dhuna është mënyrë, por ka mënyra të tjera për t’u angazhuar në dialog,”- tha ambasadori i BE.
Ndërsa Rama tha se opozita është vetëpërjashtuar nga dialogu.
“Problemi është se kur duhet të vallëzosh duhen 2 vetë. Nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Kush është për dialog sot është shumë e thjeshtë, kush është i gatshëm të flasë. Kush nuk është për dialog është e thjeshtë, kush nuk është i gatshëm të flasë. Ndihen të përjashtuar më vjen shumë keq, është vetëpërjashtim absolut pa asnjë bazë faktike, është zgjedhja e tyre legjitime, jemi vend i lirë, secili bën zgjedhjen e vet. Edhe zgjedhja për të vrarë veten politikisht është legjitime, nuk ndalohet,”-tha Rama.
Më herët, ky progres-raport iu dorëzua presidentit të vendit, Bajram Begaj./ZËRI