TIRANË- Në seancën maratonë të së enjtes, Kuvendi miratoi ndryshimet në Rregulloren e tij, me konsensus të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Pro ndryshimeve votuan 100 deputetë, ndërsa deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, votoi kundër.
Marrëveshja u arrit pas negociatave mes palëve, ku socialistët tërhoqën disa prej propozimeve më të kundërshtuara nga opozita.
Pikat kryesore të ndryshimeve:
-Procedura e ligjeve të BE-së: Socialistët e tërhoqën propozimin që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar. Në dakordësinë e arritur parashikohet se ligjet e integrimit të kalojnë në Kuvend me procedurë normale, përveç rasteve kur kërkohet nga qeveria me kërkesë të arsyetuar.
-Raportimi i institucioneve pavarura: Socialistët kishin propozuar shmangien e plotë të raportimeve në seancë plenare të institucioneve pavarura. Në seancë plenare do të raportojnë vetëm institucionet që kanë detyrim kushtetues, si Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ, KLP, ILD dhe KLSH, ndërsa SPAK nuk do të raportojë më në sallën e Kuvendit, por vetëm në komisionet parlamentare.
-Koha e diskutimeve: PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare në pesë minuta dhe koha e diskutimeve do të vijojë 10 minuta. Ndryshimet parashikojnë kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion.
-Seancat plenare: Me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Po ashtu u pranua dhe kërkesa tjetër e opozitës që masat disiplinore të pezullohen automatikisht, nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit.
-Sekretariati i Etikës: Sekretariati i Etikës të ketë përbërje të barabartë mes shumicës dhe opozitës, ndërsa vota e sekretarit do të jetë përcaktuese në rast barazimi.
-Komisionet parlamentare: Numri i komisioneve parlamentare mbeti 11, ndërsa të dy grupet më të mëdha parlamentare do të kenë tashmë numër të barabartë këshilltarësh politikë./ZËRI