
ITALI- Kush do të përfitojë nga marrëveshja Itali-Shqipëri për çështjen e emigracionit? Qeveria Meloni ka arritur një marrëveshje për të dërguar në Shqipëri disa prej emigrantëve që tentojnë të hyjnë në Itali nëpërmjet Mesdheut. Puna nisi pak javë më parë për ndërtimin e dy qendrave të pritjes ku sipas parashikimeve të kryeministrit do të devijohen rreth 36 mijë azilkërkues në vit. Por sipas "Report", kostot tashmë janë jashtë kontrollit. Krahasuar me 650 milionë euro të buxhetuara fillimisht për 5 vjet, shpenzimi i përgjithshëm mund të kalojë pragun e 1 miliard eurove.
Pra, kush do të përfitojë realisht nga kjo marrëveshje?
"Report" ka ardhur sërish në Shqipëri, duke shkuar edhe në Gjadër. Për gazetarin italian Giorgio Mottola, ka dhënë një intervistë të gjatë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Edhe pse me batuta dhe ironi, Rama i ka dhënë përgjigje pyetjeve të gazetarit, duke mos harruar pa i përmendur faktin se në dokumentarin e parë, nuk e kishin përfshirë, edhe pse përgjigjia për pyetjet u kishte shkuar. Për këtë mori shembull edhe njëherë replikën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçit, i cili u akuzua dhe iu kërkua një koment, por edhe pse e dha replikën e tij, ajo nuk u publikua.
"Pas hetimeve të mëparshme për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, Report u kritikua ashpër nga dy kryeministra: ai italian Giorgia Meloni dhe ai shqiptar Edi Rama. Pavarësisht kësaj, rrugëtimi ynë vazhdon në anën tjetër të Adriatikut ku kemi mbledhur prova dhe dëshmi të reja për ndërhyrjet në politikën dhe ekonominë shqiptare të organizatave mafioze, të cilat kanë ndikuar në sferat më të larta institucionale. Vitet e fundit, Shqipëria është kthyer edhe në një tokë pushtuese për politikanët italianë dhe ish-politikanë që kërkojnë biznes. Raporti zbulon sesi një ish-kryeministër italian dhe një ministër aktual kanë ngritur aktivitetet e tyre në sektorin e konsulencës institucionale dhe lobimit në Tiranë, duke arritur rezultate të shkëlqyera,"-shkruhet në artikullin e publikuar nga "Report" për dokumentarin e dytë në Shqipëri.
Po ashtu, në një kamerë të fshehtë është kapur edhe zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, i cili pa e ditur që po filmohej akuzoi kryeministrin Rama për lidhje me personazhe të botës së krimit. Rama u vu përballë akuzave të tij, por edhe pa e ditur se për kë bëhej fjalë, u shpreh se personi në fjalë duhet që të ishte një person që ka pasur probleme me drejtësinë./ZËRI
VIDEON E EMISIONIT MUND TA SHIHNI DUKE KLIKUAR (KËTU)