
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron foli për mbrojtjen dhe shpenzimet e NATO-s. Rama u shpreh se kemi shumë nevoja për të përmbushur dhe duhet një plan i mirë dhe i përgatitur për të krjuar një sistem mbrojtje më efikas. Më tej, ai shtoi se duhet një plan i koordinuar dhe me një garanci eficence, për shfrytëzimin e parave që duhen përdorur
“Ne nuk kemi një buxhet të madh dhe nga ana tjetër kemi shumë nevoja për të përmbushur, por e kemi përmbushur detyrimin tonë ndaj kontratës së përbashkët të Aleancës, ky është një moment i veçantë që ka sjellë në tryezë nevojën për të investuar më shumë dhe duam të rilindim ushtrinë tonë ushtarake dhe kemi nisur ta bëjmë duke nisur me më shumë buxhet për vendin. Por duke parë që tani është fryma e përgjithshme që do rriten buxhetet, na vijnë kompani nga të katër anët e Europës, blini nga ne makina… Është diçka që tregon se çështja nuk është sa para vëmë në dispozicion, por si i përdorim ato para. Franca ka një ushtri të përmbushur, por ne kemi ende shumë për të bërë. Dhe na duhet një plan më i koordinuar dhe me një garanci eficence, për shfrytëzimin e parave që duhen përdorur… Përpara disa javësh pata, një bisede me CEO e një prej kompanive më të mëdha ushtarake dhe më tha se ka vizituar një vend që ka blerë pa fund armatime, por që i kanë të pahapura dhe kjo nuk është një forcim i mbrojtjes. Duhet të punojmë për një sistem mbrojtje më efikas. Europa nuk mund të kthehet në një territor ku flitet vetëm për armë dhe luftë. Pasi ka dy territore për të mbrojtur, atë fizik dhe atë shpirtëror”, tha ai./ZËRI