
TIRANË- Sot në orën 13:30 ishte parashikuar të zhvillohej Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Por mbledhja është shtyrë për një ditë tjetër, pasi sipas Kuvendit, palët janë ende duke diskutuar lidhur me objektin e Komisioneve Hetimore. Teksa futej në selinë blu, për të zhvilluar mbledhjen e lajmëruar të grupit parlamentar, Gazment Bardhi nuk ka pranuar të japë arsye për gazetarët që nisën ta pyesnin, por u përgjigj shumë shkurt.
I pyetur për motivin e shtyrjes së mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha: Pyesni Kuvendin!
Por kur u pyet nëse negociatat me socialistët dështuan, Bardhi zgjodhi që të mos përgjigjej më tej, duke u futur brenda në seli.
Negociatat mes opozitës dhe maxhorancës, aktualisht janë në një ngërç, pasi takimi i lënë për sot, nuk u zhvillua. Një ditë pasi u dakordësuan parimisht për 2 komisione hetimore dhe ngritjen e një nënkomisioni për Reformat. Por lidhur me këtë çështje, palët nuk e kanë ndarë ende objektin e hetimit. Kështu Konferenca e Kryetarëve u shty me kërkesë të të gjitha palëve./ZËRI