Politikë

Marrëveshja PS-Rithemelimi, Rama u përgjigjet kritikëve: Nëse 'Zgjedhorja' s'ka produkt, zgjedhje me ligjin që kemi

Rama sqaron se Partia Socialiste e ka bërë të qartë se nëse nuk ka rezultat, Komisioni do të mbyllet dhe 'çështja' do t'i kalojë Kuvendit, e më tej sqaron se nëse nuk ka 'numra' (deputetë) për ta miratuar në sallë me shumicë votash, atëherë janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje me Reformën Zgjedhore që është ende në fuqi. 

k.m.
Marrëveshja PS-Rithemelimi, Rama u përgjigjet kritikëve:
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për herë të parë lidhur me marrëveshjen e djeshme mes Partisë Socialiste dhe "Rithemelimit". Me një reagim të gjatë në rrjetet e tij sociale, Rama ka komentuar fillimisht të gjithë ata që e kanë komentuar marrëveshjen si bashkëpunim me kryedemokratin Sali Berisha, të cilin kryeministri e adreson si "non grata". Sipas kryesocialistit, Sali Berisha për të thjesht "nuk ekziston"! Ndër të tjera, iu përgjigj edhe aludimeve për Reformën Zgjedhore, duke u shprehur se Partia Socialiste e ka bërë të qartë se nëse nuk ka rezultat, Komisioni do të mbyllet dhe 'çështja' do t'i kalojë Kuvendit, e më tej sqaron se nëse nuk ka 'numra' (deputetë) për ta miratuar në sallë me shumicë votash, atëherë janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje me Reformën Zgjedhore që është ende në fuqi. 

"Do shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim,"-shkruan Rama ndër të tjera.

Më pas, komenton edhe lidhur me aksionin e opozitës, duke u shprehur se nëse kanë vendosur që të reflektojnë dhe ndryshojnë qëndrim për të braktisur kaosin që shkaktohet prej tetorit, socialistët nuk do t'i pengojnë.

"Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh,"-shton Rama në fjalën e tij, duke e mbyllur me "emoji" që qeshin. 

POSTIMI I PLOTË I RAMËS NË "X":

Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize! Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro!

Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston? Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim.

Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?! Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë. Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh

Çfarë ndodhi dje mes PS dhe PS?

Demokratët u ulën dje për herë të parë që nga tetori në Konferencën e Kryetarëve, duke arritur dakordësi me socialistët për ngritjen e dy komisioneve hetimore; atë për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi. Po ashtu, është rënë dakord për ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, që do të përbëhet nga 4 anëtarë, dy nga secila palë./ZËRI

Poll

MOS HUMB