
TIRANË- Vetëm me votat e socialistëve dhe nën fërshëllimat e një pjese të deputetëve të opozitës, kaloi sot në Kuvend projektligji që i hap rrugë shtyrjes së afatit të aplikimeve për investimet strategjike. Ky ligj, i cili është në fuqi që nga viti 2015, ka qenë një prej më të kontestuarve të qeverisë Rama, nën akuzat e vazhdueshme që bëhet për favorizimin e oligarkëve, ndërkohë që përfituesit në radhët e biznesmenëve të dorës së dytë kanë qenë të pakët.
Këto akuza u përsëritën edhe sot në sallën e Kuvendit, dhe jashtë saj, nga përfaqësues të opozitës si Gazment Bardhi apo Agron Shehaj. Bardhi ngriti pretendime dhe për legjitimitetin e votimit një Kuvend, pasi në nisje të seancësë ngritën kartonin për të konfirmuar pjesëmarrjen vetëm 68 deputetë.
Por, drejtuesja e seancës plenare, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj tha se pjesëmarrja në sallë e deputetëve të opozitës plotëson koorumin e punimeve edhe pse ata nuk morën pjesë në votim. “Duhet shumicë e thjeshtë, jo shumicë absolute në votim”- tha ajo duke iu drejtuar Bardhit dhe shtoi se, “shërbimet e Kuvendit më thonë që koorumi është.”
DISKUTIMET NË KOMISIONE
Fillimisht në Komisionet Parlamentare, socialistët kishin hedhur në diskutim shtyrjen e ligjit për investimet strategjike deri në vitin 2027. Por në seancën e kaluar në Komisionin e Ligjeve, ishte relatorja Klotilda Bushka, ajo që kërkoi shtyrjen vetëm me një vit të afateve të këtij ligji, duke rrëzuar propozimet e tjera. Në mesin e propozimeve që u rrëzuan ishte dhe ai i deputetit Eduart Shalsi, i cili parashikonte që të rriste vlerën e investimeve deri në 100 milionë euro për ato investime që do të marrin statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë”, dhe t'i japin më shumë rol në vendimmarje ministrive të linjës për të përgatitur studimet dhe kontratat. Por pas dakordësisë me pjesën tjetër të kolegëve socialistë, Shalsi do të tërhiqej nga propozimi i tij.
OPOZITA NË BLLOK KUNDËR
Të gjitha grupimet e opozitës janë shprehur të gjithë në bllok kundër shtyrjes së afatit të ligjit për investimet strategjike. Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj e quajti ligjin “klientelist” dhe “korruptiv”. “Ligj me 40 emra bashkëngjitur”- tha ai, duke iu referuar numrit të investitorëve strategjikë të miratuar nga 2016 deri tani. “Ia shtyni jetën një regjimi juridik të cilin as ju nuk e besoni më”- shtoi Alibeaj, në fazën kur projektligji ishte duke u diskutuar në komisione.
Nga ana tjetër, Gazment Bardhi tha sot jashtë Kuvendit, se ligji bëhet për të favorizuar një grup oligarkësh, dhe disa krerë të grupeve kriminale që përfitojnë.
"Më pëlqen që jeni të lumtur. Në një seancë ku edhe pse sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim. Që të hapet procesi i votimit duhet ë kenë votuar pro 71 deputetë. Deklarohet që janë 68 por kjo nuk e ndal vrullin për të miratuar ligjin për investimet strategjike që është në interes të një grushti oligarkësh. Sot ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji i investimeve strategjike dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë nga ky ligj, është e rëndësishme për opozitën që parlamenti ti kthehet normalitetit. Dua të deklaroj që sipas rregullores dhe kushtetutës asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seancë pa u shpallur votimi nuk quhet i vlefshëm", tha Bardhi.
Deputeti Agron Shehaj shkoi më tej duke thënë se nga ky ligj kanë përfituar në mënyrë direkte dy ish-ministra të qeverisë. Sipas Shehajt, në sajë të këtij ligji të miratuar nga qeveria Rama, Damian Gjikmnuri po ndërton resort në Parkun e Butrintit, ndërsa ish-ministrja Olta Xhaçka po ndërton në bregdetin në shqiptar, edhe pse kur hynë në politikë hynë me xhepat bosh.
“Kemi raste konkrete se si nëpërmjet ligjeve të aprovuara nga parlamenti, Gjiknuri po ndërton këtë resortin këtu. Kjo është ajo pika e vogël që fliste ministria e Kulturës, që është pjesë e parkut kombëtar të Butrintit.
Qeveria e Hoqi nga parku dhe ia dha Gjiknurit. Ishte një perlë tani shiko se cfarë po ndërtohet. Ky është plazhi i dhërmiut ku ish-ministrja e cila hyri me xhepat bosh në politike, për ndërton këtë resort.
Këta kanë vetëm një qëllim të kapin cdo gjë që ka vlerë në bregdetin e vendit dhe të ndërtojnë për veten e tyre dhe familjet e tyre”, deklaroi Shehaj para gazetarëve.
KUSH JANË PËRFITUESIT NGA LIGJI
Në total deri në fund të vitit të kaluar, nga ligji për investimet strategjike kishin përfituar rreth 57 prohjekte, disa prej të cilave të lidhur me biznesmenë të konsoliduar në vend. Një prej projekteve më të kontestuara ka qenë padyshim ai i fituar nga Artan Gaçi, burri i ish-ministres Olta Xhaçka, teksa kjo e fundit ishte ende pjesë e qeverisë. Ndërkohë që në listën e përfituesve është biznesmeni Samir Mane, Behgjet Pacolli, e deri te aktori i humorit Gaz Paja, apo biznesmeni i arrestuar Pëllumb Gjoka, i cili rezultonte i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, pas përgjimeve të dosjes Metamorfoza.

ÇFARË PËRFITOJNË INVESTITORËT STRATEGJIKË
Kur ky ligj u prezantua nga qeveria Rama, fillimisht në vitin 2015, u deklarua si një nismë që do të sillte investitorë të huaj në Shqipëri, por në fakt përfituesit në të shumtën e rasteve janë biznesmenë shqiptarë. Rasti i vetëm që bën përjashtim në këtë rast është ai i “Durrës Yaht Marina” nga investitori Mohamed Alabar, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Statusi i investitorit strategjik i jepet çdo projekti në energji, transport, turizëm dhe bujqësi që investonte 30 milionë euro, apo 50 milionë euro për projekte me procedurë të veçantë. Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, në kohën kur ky ligj u miratua, Arben Ahmetaj, të gjitha projektet që kapnin këtë shifër investimi do të trajtoheshin me përparësi nga qeveria, duke u ndihmuar dhe me infastrukturë mbështetëse.
Sipas ligjit në fuqi, shteti i ofron mbështetje me infrastrukturë dhe konsolidim të titujve të pronësisë çdo kompanie që fiton statusin e “investitorit strategjik”. Ky status, në mënyrë të veçantë në bregdetin e Jonit, kanë krijuar konflikte me banorët vendas, pasi gjurmët e resorteve janë hedhur mbi prona të kontestuara.
KRITIKA DHE NGA DASH
Për statusin e investitorit strategjik ka ndarë rezerva edhe DASH. Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit të klimës së investimeve thekson diferencën e thellë mes përfituesve shqiptarë dhe atyre të huaj.
“AIDA, si Sekretariat i Këshillit Strategjik të Investimeve, shërben si one-stop-shop për investitorët e huaj, nga depozitimi i formularit të aplikimit deri në dhënien e statusit të investimit/investitorit strategjik. Pavarësisht legjislacionit mbështetës, shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit”, nënvizon raporti i DASH.
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson: “Investitorët e huaj që aplikojnë për statusin e investitorit strategjik citojnë se përgjigjet nga AIDA janë të ngadalta”.
/ZËRI