
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike (asaj të vulës), Lulzim Basha ka dalë sot me disa amendamente në mbështetje të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk la pa përgjigje edhe kundërshtarët e tij politikë. Por e distancoi veten nga Partia Demokratike, duke u shprehur se...ai vetë nuk ka premtuar revolucion. Ndaj edhe nuk e ka parë të arsyeshme që të marrë pjesë as në aksionin e opozitës në parlament, por edhe në protestat që po zhvillohen në Bashkinë e Tiranës, pas dosjes së hetuar nga SPAK, të ashtuquajtur "5D".
"Nuk ka më hapësirë që të kthehemi tek aksioni politik. Ai aksioni për Komisionet hetimore, sot duhet të ishte 5-fish. Ne kemi zgjedhur rrugën e flakadanëve, ata që premtuan revolucion...ne nuk kemi premtuar revolucion. Ne besojmë se këto sfida përballen me alternativë. Këta duhet të dëshmonin se nuk e paskan pasur për veten dhe karrigen e tyre, por për alternativë. Të enjtën duhej bllokuar parlamenti,"-tha Basha.
Më pas, shtoi se sa i përket protestës, është kundër hipokrizisë, duke theksuar se nuk mund të protestohet me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke e shfaqur si një "superman". Gjithashtu, gjeti edhe momentin që të kthente kohën pas në protestat e tij, duke u "mburrur" se ato që po zhvillohen sot, nuk janë as sa 1/10 e atyre që dikur organizonte ai. Një përgjigje Metës ia dha edhe për djegien e mandateve, për të cilat kreu i PL-së, e akuzon se e bëri që të 'ndihmonte' kryeministrin Edi Rama.
"Protesta është e duhur, por që të jetë e besueshme, nuk e bën dot me Ilir Metën. Meta solli Ramën në pushtet në 2013, e mbajti në 2017. Tani ma nxjerr si Supermen, dhe më thua pse s’je në protestë. Faqe e zezë. Ti vënë gishtin kokës ata që për interesa personale i vunë minat opozitarizmit. Tani është koha që të reflektojnë. Mandatet? Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, disa si Meta hedhin gurin fshehin dorën, këtë bëri pas 12 janarit, pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër. Meta është përfituesi më i madh i pushtetit të Ramës. Këtë po e bëjnë për veten e tyre. Guximi im është përtej çdo dyshimi. Protestat që kam organizuar si kreu i PD, siç e shikon as 1/10 nuk e bëjnë dot. Testi sot nuk është të matëm me ish-kolegë, por të jap alternativë. Është faktori kryesor për ardhjen e tij në pushtet dhe mbajtjen në pushtet. Meta ka pushuar së ekzistuari si faktor politik. Me Metën dhe LSI s’ka për të patur më asnjë marrëdhënie politike, është një pazarxhi kronik, që problemet si ka më me PD dhe shqiptarët, por i ka aty ku i ka dhe të përballet me problemet,"-shtoi Basha.
Gjithashtu, Basha Basha e ka cilësuar vendimin e Gazment Bardhit për të dërguar sërish në Kushtetuese vendimin e Kuvendit për mandatin e Olta Xhaçkës, si falimentim politik, duke pretenduar se tashmë kjo lëvizje ligjore nuk ka më asnjë vlerë, por vetëm sa thellon krizën kushtetuese.
"Kthimi në Gjykatën Kushtetuese është një tjetër lehtësi që i bëhet Edi Ramës në një akt të paprecedentë në 34 vite. Kushtetuesja ka folur, kur ajo flet, parlamenti bindet. Hierarkia fillon me Gjykatën Kushtetuese. Me aktin e mosvotimit të konfliktit të interesit që çon në humbjen e mandatit të Olta Xhackës, Edi Rama ka futur vendin në krizë kushtetuese.Rikthimi në Gjykatë Kushtetuese, është falimentim politik, është fajësi në një pazar që akoma vazhdon të japë efektet e veta. Vendi është në krize kushtetuese, ky është shkak që presidenti të shpërndaj parlamentin,"- tha Basha.
Ndërsa Basha iu përgjigj pyetjeve politike, ishte Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ata që prezantuan dy amendamentet që do të dorëzojnë në Parlament për SPAK-un. Sipas tyre, amendamenti i parë ka të bëjë me dispozita ligjore të cilat ndihmojnë në fuqizimin strukturor të SPAK-ut; ndërsa i dyti ka të bëjë me ndryshimin e kodit të procedurës penale lidhur me kompetencat e GJKKO-së dhe njohjen e vendimeve të huaja penale.
AMENDAMENTI I PARË, SEKRETARI PËR REFORMËN ELEKTORALE, REZART KTHUPI
Amendamenti i parë është një amendament i cili ka për qëllim të rregullojë ligjin 95/2016, që është ligju i posaçëm i cili strukturon SPAK. Nisur nga raportet e paraqitura nga KLP dhe në Këshillin e Integrimit Europian nga drejtuesi i prokurorisë së posaçme i cili relatoi disa pika të cilat kishin nevojë për mbështetje. Ose më saktë disa problematika që struktura e posaçme vërente gjatë punës së organizimit të saj, në raport veçanarisht me burimet njerëzore, me statusin e magjistratëve pas përfundimit të funksionit të tyre. Dhe me le të themi atë që është nevoja për të rregulluar kompetencat apo për të zgjeruar kompetencat e SPAK-ut, vlerësuam që duhet të bëjmë disa adresime ligjore që kanë lidhje pikërisht me këto dy gjëra.
AMENDAMENTI I DYTË, SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE, INDRIT SEFA
Në bazë të kërkesave që ka bërë SPAK për nevoja të punës së saj, kërkesa specifike në KLP dhe ka propozuar ndryshime specifike, ne mendojmë ndërhyrjet që janë ,ë të domosdoshme dhe immediate kanë të bëjnë me disa nga këto shqetësime që ka ngritur SPAK, që është ekzekutimi i vendimeve penale të dhëna nga Gjykata e Posaçme. Që do të thotë, të gjithë vendimet penale që ka dhënë GJKKO, sot ekzekutohen nga gjykatat e rretheve në të cilën i dënuari vuan dënimin. Në propozimin tonë nuk do të ketë më gjykatë rrethi gjyqsor që të marri këto kërkesa, por do të jetë vetëm GJKKO. Për shembull, çdo i dënuar nga GJKKO i cili kërkon që të përfitojë ulje dënimi, ose ndonjë kërkesë tjetër gjatë ekzekutimit të dënimit, nuk do të jenë më gjykatat e rreteheve, por do të jetë GJKKO. Gjithashtu kemi kërkuar në lidhje ekstradimin, ne mendojmë që të gjitha kërkesat nga autoritetet e huaja, nga shtetet e huaja për të gjithë personat e dënuar ose në kërkim, të cilët procedohen për vepra penale të parashikuara nga neni 47/a të kodit të procedurës penale, që janë për grupet e strukturuara kriminale, e të gjitha me radhë, të gjitha këto kërkesa duhet të shqyrtohen nga GJKKO-ja dhe jo më nga gjykatat e rretheve ku ka vendbanimin pala që kërkohet të ekstradohet.
Këto amendamente pritet që të diskutohen dhe më pas të votohen në Parlament./ZËRI