
DURRËS- Në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste, është vendosur data e zgjedhjeve brenda partisë, të cilat do të mbahen përpara Kongresit të Qershorit. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se zgjedhjet e brendshme të PS-së do të mbahen në datën 12 Maj, ku pritet që të dalin dhe emrat e rinj të kryetarëve të PS-së në të gjitha bashkitë e vendit.
Gjatë mbledhjes së sotme të Asamblesë e cila u mbajt me dyer të mbyllura, përveç fjalës së Ramës, u diskutua mbi anëtarësimet e reja në parti, dhe nevojën e rienergjizimit të strukturave. Socialistët synojnë shtimin e anëtarësimeve të reja, që deri tani kanë qënë mbi 29 mijë, dhe para Kongresit të Qershorit, Rama kërkoi që të kenë shkuar 50 mijë.
Nga ana tjetër, vetë kryeministri foli për nevojën e hapjes së partisë, edhe për qytetarë që nuk kanë pasur përkatësi të majtë politike. Sekretari i përgjithshëm Blendi Klosi, teksa foli për mediat, tha se socialistët synojnë që të marrin më shumë mandate në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. /ZËRI