
BRITANI E MADHE- Kryeministri britanik, Rishi Sunak, në një intervistë me rrjetin televiziv “BBC” deklaroi se marrëveshja e nënshkruar për menaxhimin e azilkërkuesve me Shqipërinë parandaloi shtimin e numrave të emigrantëve të paligjshëm. Edhe pse intervistuesja gazetarja Laura Kuenssberg pretendoi se kishte dokumente që nuk e mbështesin një fakt të tillë, sërish Sunak nguli këmbë tek e pretendimet e tij, duke shprehur edhe bindjen se koha do i jepte të drejtë.
Ai tha se prova është në veprimet e tij: I dhashë përparësi një skeme për të dëbuar emigrantët me varka në Shqipëri pasi u bëra kryeministër. Ndërsa gjithashtu Home Office ka publikuar të dhëna duke pretentuar se mbërritjet e gomoneve nga Shqipëria janë ulur me 90% në 2023-shin.
Më herët, ministri anglez i Emigracionit Robert Jenrick raportoi në parlamentin britanik për emigracionin e paligjshëm. Jenrik tha se që nga marrëveshja që Anglia arriti me Shqipërinë në dhjetorin e vitit të kaluar ka rezultate të suksesshme dhe falë saj janë kthyer mbrapsht 3.500 emigrantë shqiptarë.
Për pasojë, sipas tij, ka një rënie të ndjeshme me 90 për qind të shqiptarëve që arrijnë në Britaninë e madhe në mënyrë ilegale. Jenrick vuri në dukje se deri më tani këtë vit, mbërritjet e anijeve të vogla janë ulur me 20% krahasuar me vitin 2022./ZËRI