
TIRANË- Të dielën, pas 4 ditëve, qytetarët e Himarës do u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Sot, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bë verifikimi i pajisjeve që do të përdoren për identifikimin elektronik të zgjedhësve, e njohur ndryshe si "PEI". Për mediat e pranishme, një fjalë të shkurtër mbajti edhe nënkomisionarja e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve Lealba Pelinku, e cila në prononcimin e saj ngriti shqetësimin se në listën e zgjedhësve janë shtuar në mënyrë të dyshimte 311 votues në harkun kohor të 1 viti.
Për këtë që ka ndodhur, sipas saj është njoftuar edhe drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Pelinku: Rezulton që 311 votues kanë ndryshuar vendbanimin në Himarë nga prill 2023 deri 10 korrik. Duke pasur rritje anormale kemi kërkuar specifikim datash pasi ka dyshime që ndryshimet kanë ndodhur në ditët para daljes së dekretit të presidentit për zgjedhje. S’kemi ende përgjigje. Lista është përfundimtare s’mund të ndryshohet nga gjetjet e tilla mund të ketë hetim të thelluar për çfarë ka ndodhur me gjendjen civile në Himarë nëse janë respektuar procedurat e zhvendosjes. Duke pasur parasysh një rritje anormale, parë ecurinë e ndryshimit të zgjedhësve në këtë bashki kemi kërkuar specifikimin e datave. Ka dyshime se ndryshimet kanë ndodhur në ditët pranë daljes së dekretit të presidentit për zgjedhjet e Himarës
Numri i qytetarëve i thirrur për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të Himarës është pak më shumë se 23 mijë, por në zgjedhjet e fundit lokale, në këtë bashki votuan më pak se 8 mijë persona. Të dielën, po të njëjtët do të duhet të zgjedhin mes Vangjel Tavos nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikurisë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të udhëhequr nga Sali Berisha.
Të dy kandidatët i përkasin minoritetit grek dhe përballen pasi një tjetër minoritar grek Fredi Beleri edhe pse fitoi zgjedhjet nuk u bë kryetar i bashkisë së Himarës për shkak se u arrestua për vjedhje votash pak ditë para zgjedhjeve të majit. Tashmë, Beleri do të ndjekë nga qelia e tij zhvillimet, duke bërë "tifo" për Gjikurinë, i cili është zotuar se nëse fiton do të zbatojë programin e të dënuarit./ZËRI