
SHËNGJIN- Kreu i qeverisë Edi Rama ka publikuar foto nga mbledhja informale e qeverisë e mbajtur sot në Shëngjin të Lezhës. Në fotot e publikuara, ministrat shihen duke mbajtur shënime dhe tepër të menduar, teksa dëgjojnë fjalën e kreut të qeverisë.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm të gjithë ministrat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, si dhe Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi. Në mbledhjen e pazakontë ishte i pranishëm edhe ministri ende i padekretuar Blendi Gonxhja. Këtij të fundit iu besua një ministri e re, e emëruar Ministria për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin.
Në këtë mbledhje janë përcjellë detaje në lidhje me faktin sesa seanca janë mbajtur për vitin që lamë pas, janë bërë bilance për faktin sesa interpelanca janë zhvilluar, sa mocione për debat, projektligjet që janë depozituar në parlament, nga të cilat sa prej qeverisë dhe sa prej deputetëve. Gjithashtu, janë shpallur edhe prioritetet që socialistët do të kenë gjatë 2024, që konsiderohet një vit paraelektoral.




Mbledhja e qeverisë në Shëngjin pritet të zhvillohet edhe gjatë ditës së nesërme. Në prioritetet e vitit 2024, priten diskutime për turizmin, që konsiderohet një sektor tepër i rëndësishëm për ekonominë e vendit./ZËRI/