
BRITANI E MADHE- Dhjetra oficerë policie dhe punonjës socialë italianë të vendosur nga qeveria e ekstremit të djathtë të Italisë në qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë kthyer në shtëpi, pasi objektet kanë mbetur bosh prej javësh. Pak më shumë se një muaj pas hapjes së qendrave të paraburgimit, më shumë se 50 oficerë policie u kthyen në Itali, ndërsa dhjetëra e punonjësve socialë janë larguar gjatë fundjavës. Kjo pasi prania e tyre në Shqipëri është cilësuar si e "panevojshme".
Që nga hapja e këtyre godinave më 11 tetor, vetëm 24 azilkërkues u dërguan në qendrat në Shqipëri, por të gjithë u transferuan në Itali, pasi Gjykata e Romës e cilësoi si "të paligjshëm" ndalimin e tyre.
Në një kohë kur qeveria po përpiqet të balancojë buxhetin – duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetësinë dhe sigurimet shoqërore – partitë opozitare e kanë përshkruar marrëveshjen, që do të kushtojë rreth 1 miliardë euro (830 milion £) gjatë pesë viteve, si një “katastrofë financiare”.
“Misioni u krye!,”- tha Riccardo Magi, presidenti i partisë së majtë opozitare Più Europa (Më shumë Evropë).
Skema ka çuar në një përplasje mes qeverisë dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit.
Nicola Gratteri, kryeprokurori i Napolit dhe një nga gjyqtarët më autoritarë në Itali, tha në një intervistë televizive këtë javë: Ne duhet të ndalojmë së sulmuari gjyqtarët vetëm sepse nuk na pëlqen një vendim. Nuk dua të jap një gjykim politik, por them që në këtë moment në Shqipëri janë 250 oficerë të rendit, që s'po bëjnë asgjë. Është humbje të mbash 250 oficerë policie në një mision në Shqipëri, ndaj mendoj se ata duhet të kthehen në Itali ku po luftojmë me mungesën e personelit.
Por qeveria ngul këmbë se qendrat në Shqipëri “do të mbeten të hapura dhe funksionale”. Megjithatë, besueshmëria e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, është në rrezik pasi ajo e bëri emigracionin një çështje qendrore të fushatës. Në të kaluarën ajo ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së emigracionit./ZËRI
Marrë dhe përkthyer nga "The Guardian"