
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit Ervin Muça, cili ndodhet në arrest shtëpie, janë thirrur sërish nga Komisioni i Posaçëm Hetimor për TIMS si dëshmitarë. Komisioni i drejtuar nga deputeti demokrat Ervin Salianji vendosi të thërrasë 3 dëshmitarët në 4 qershor duke i dhënë kohë ligjvënësve, anëtarë të Komisionit hetimor, të pajisen me çertifikata sigurie. Nuk dihet ende nëse dëshmitë e tyre do të jepen sërish me dyer të mbylluar.


Çfarë ndodhi më mbledhjen e parë?
Në 15 maj në mbledhjen e mbajtur për hetimin e 'TIMS', dëshmitë u zhvilluan me dyer të mbyllura. Ishte Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili dëshmoi i pari për rreth dy orë në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS” me dyer të mbyllura. Por për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor dëshmia e tij u spostua. Pas tij dëshmoi Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i cili po ashtu kërkoi që dëshmia e tij në Komisionin Hetimor për TIMS të bëhet me dyer të mbyllura. Edhe ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS, dëshmoi në Komisionin Hetimor gjatë mesnatës. Dëshmia e tij zgjati 30 minuta dhe kur doli u pyet nga gazetarët se kush e detyroi të merrte të dhënat e TIMS.
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin./ZËRI
Hetimi i TIMS është paraprirë nga akuza dhe përplasje të ndërsjellëta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetë demokratë kanë paralajmëruar se të dhënat që do të zbulohet nga Komisioni, do të zbardhin shumë nga lidhjet e ministrave apo zyrtarëve socialistë me elementë të krimit./ZËRI