
TIRANË - Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka kërkuar mbështetje nga parlamenti, që Shqipëria të miratojë një ligj, që ndalon tullumbacën me drogë, që është tepër e përhapur në lokale të shkollave në vend. Balla tha se së shpejti do të sillet ligji në Kuvend për miratim. Ministri i Brendshëm kërkon që droga “tullumbace” të klasifikohet si lëndë psikotrope.
Ai shtoi opo ashtu se është goditur nga Europol një grup shqiptar i trafikut të drogës dhe bëri thirrje që të mbrohen fëmijët dhe adoleshentët e Shqipërisë.
“I kemi kërkuar policisë që të identifikojë të gjitha llojet e drogërave në vend, edhe ata që deri tani nuk identifikoheshin si të tilla. Ka drogëra që nuk janë identifikuar të tilla, por fëmijët kanë krijuar varësi prej tyre.
Policia po e bazon veprimin e vet në mungesë të legjislacionit që do e sjellin shumë shpejt në Kuvend për ta klasifikuar këtë formë të oksidit të azotit në një lëndë të palejuar, edhe pse ligji e ka lejuar. Ka hyrë në Shqipëri duke paguar edhe doganën. Kjo është e patolerueshme”, tha Balla.
“Zëri.ai” ka intervistuar adoleshentët në shkollat e kryeqytetit dhe shumë prej tyre e njihnin këtë produkt, duke u shprehur se tullumbacja me drogë shitet hapur në lokale, pranë ambjenteve shkollore.
Çfarë është 'Tullumbacja'?
Kjo lloj droge është një substancë e gaztë. Dukjen e ka si një fishek, por pasi hidhet në tullumbace thithet njëlloj si heliumi që ndryshon zërin. Bëhet fjalë për oksidin e azotit, për të cilin në është dhënë alarmi për pasojat që sjellë në shëndet dhe disa shtete po mendojnë masa konkrete për ta konsideruar të paligjshme. /Zëri.ai/