
TIRANË – Gjykata e Posaçme ka shqyrtuar ankimin e deputetit të PD-së Gazment Bardhi. Pas hetimeve, SPAK ka dalë në përfundimin se nuk duhet që të nisë hetimi ndaj kryeparlamentares, Lindita Nikolla.
Bardhi bëri kallëzim penal në SPAK për veprën penale të shpërdorimit të detyrës ndaj Nikollës, por Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur që ta pushojë çështjen. Të njëjtin vendim ka marrë edhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.
Bardhi, në kallëzimin penal që ka kryer, ngre pretendimin se Nikolla ka lejuar që punonjësit e Gardës të mbajnë armë brenda sallës së Kuvendit, në një prej ditëve, kur parlamenti u përfshi nga debate të shumta.
VENDIMI I GJYKATËS
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit penal të shtetasit Gazmend Bardhi, me cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të bërë ndaj shtetases Lindita Nikolli me cilësinë e Kryetares se Kuvendit të Shqipërisë, ka regjistruar kallëzimin penale Nr. 245 të vitit 2023, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Pas vlerësimit të kallëzimit penal të sipërcituar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 22.11.2023 vendosi: “1. Mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin penal Nr. 245 të vitit 2023. 2. Vendimi t’u njoftohet të interesuarve. 3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i vendimit.”.
Vendimi i mësipërm është ankimuar në Gjykatë nga kallëzuesi më datë 11.12.2023. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore në respektim të nenit 291 pika 3 të K.Pr.Penale. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 75/a, 112, 290 dhe 291 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenin 248 të Kodit Penal, me vendimin Nr. 496, datë 22.12.2023, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë “Për mosfillimin e procedimit penal që i përket kallëzimit Nr. 245 datë 08.11.2023”, datë 22.11.2023.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen ankuesit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 22.12.2023
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./ZËRI/