Politikë

Veliaj: Opozitë qesharake! Do t’u bëhen gjunjët kallo, duke u lutur që unë dhe Rama të kemi konflikt

Sa i përket përplasjes së tij me analistët politikë, Veliaj u shpreh se nuk ka përmendur asnjë me emër, por të gjithë kanë reaguar sepse kanë gjetur veten tek ato që ai ka thënë. 

k.m.
Veliaj: Opozitë qesharake! Do t’u bëhen gjunjët kallo, duke
Erion Veliaj

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar sërish prezencën e tij në SPAK, disa ditë më parë. Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë, Veliaj i ka quajtur qesharake përpjekjet e opozitës për të "stisur", sipas tij, një përplasje mes tij dhe kreut të qeverisë. Po ashtu, shtoi se mes tyre nuk ka asnjë problem. Ndërsa sa i përket përplasjes së tij me analistët politikë, Veliaj u shpreh se nuk ka përmendur asnjë me emër, por të gjithë kanë reaguar sepse kanë gjetur veten tek ato që ai ka thënë. 

“Ajo është thellësisht qesharake sepse transmetimi i ceremonisë së nderimit të Ali Ahmetit ishte live. Para se të largohej, familja e z. Ahmeti donte një foto me kryeministrin. Duket live kur në atë moment po bëja edhe koreografin e fotografisë. E bija e z. Ahmeti më thotë na u bashko për një foto të fundit. Nga 10 fotografë që ishin aty janë shkrepur disa qindra foto. As unë, Edi Rama jo e jo, nuk kemi komplekse të tilla. Nuk bëjmë as kështu lojërash. Ju kam thënë gjithmonë: Unë i kam shërbyer PS, kam punuar me Edi Ramën edhe kur s’kam pasur asnjë spaletë, asnjë titull, nga 2009-2013, edhe pse humba për një grusht votash në Berat, sepse njerëzit që e kanë vokacion, i shërbejnë atij misioni pa qenë të interesuar nëse kanë ofiqe dhe karrige. Opozitës i kam thënë: do t’i bëhen gjunjët me kallo dhe do luten deri në pafundësi të jetës që unë dhe Edi Rama të kemi konflikt dhe prej këtij konflikti të rikthehet Saliu me Ilirin. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë,”- tha ai.

Gjithashtu, foli edhe për faktin që hetuesit e SPAK, i cilësoi si kolegët e tij.

“Deri tani ka qenë tabu që autoritet të bashkëpunonin dhe janë parë si armiqësore. Është normale që autoritet të kenë nevojë të sqarohen. E kam kërkuar prej kohësh bashkëpunimin zyrtar me SPAK-un. S'ka pse të na bëjë përshtypje kur një palë s’ka asnjë kompleks dhe ka shprehur gatishmëri. Ajo që duhet të na bëjë përshtypje është jo një njeri që respekton ligjin, por ata që refuzojnë dhe sulmojnë organet e drejtësisë. Unë ju quaj kolegë dhe ju të medias, pra njerëzit që janë angazhuar në një vokacion publik, sepse kemi një mision të përbashkët. Kush i sheh si armiq nuk duan që disa institucione të funksionojnë. Një njeri duhet të jetë konsistent, s’mund të them një herë “rroftë SPAK-u" dhe më pas ta degjeneroj këtë institucion. Normalja e re duhet të jetë e njerëzve që bashkëpunojnë"./ZËRI

Poll

MOS HUMB