Politikë

Vetëdorëzimi i Salianjit, avokati Ledio Braho: Deputeti do të dërgohet sot drejt burgut të Fierit

Avokati tha se ligjvënësi demokrat do të vuajë dënimin në burgun që i ka caktuar regjimi.

F.I
Vetëdorëzimi i Salianjit, avokati Ledio Braho: Deputeti do të
Ledio Braho

TIRANË-Deputeti Ervin Salianji do të transferohet mbrëmjen e sotme në burgun e Fierit, ku do të kryejë dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit, me 1 vit heqje lirie. Lajmi u bë i ditur nga avokati i Salianjit, Ledio Braho, i cili tha se ligjvënësi demokrat do të vuajë dënimin në burgun që i ka caktuar regjimi. Braho u shpreh se jemi në kushtet e një vendimmarrjeje haptazi politike, edhe pse ai zgjodhi që të përballet me burgun vullnetarisht.

Avokati Ledio Braho: Na u komunikua procesverbali për njohjen për ekzekutim vullnetar, nënshkruam procesverbalet patëm sjellje korrekte nga drejtuesit e policisë. Duhet të jemi të qartë, pavarësisht se është një vendimmarrje politike, Salianji e ekzekutoi vullnetarisht dhe u nis drejt burgut që i ka caktuar regjimi, burgu i Fierit. Që mbrëmjen e sotme shkon në burgun e Fierit.

Deputeti Ervin Salianji u vetëdorëzua pasditen e sotme për t'u arrestuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të shumtë ishin mbështetësit, që ndodheshin në pritje të deputetit para ambjenteve të Drejtorisë së Policisë, për t'i dhënë kurajo dhe përkrahje.

Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB