
TIRANË- Pas nisjes së numërimit të votave nga Greqia, ka reaguar edhe Partia Demokratike. PD ka kërkuar kontetsimin e votave dhe ka porositur numëruesit dhe komisionerët e saj të mos përfshihen në numërim. PD shprehet se konteston të gjitha zarfet e ardhura nga Greqia, pasi operatori postar nuk ka garantuar sigurinë për votat.
“Për të gjithë numëruesit dhe komisionerët e Partisë Demokratike me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm
Çdo votë e ardhur nga Greqia do të kontestohet si nga numëruesit, ashtu edhe nga komisionerët tanë, duke kërkuar që të mos përfshihet në rezultatin e zgjedhjeve. Konkretisht, si numëruesit, ashtu edhe komisionerët, duhet të shënojnë në të gjitha procesverbalet tekstin si më poshtë:
"Ne i kontestojmë të gjitha votat e ardhura nga shteti grek dhe kërkojmë mospërfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar, për shkak se shpërndarja dhe marrja në dorëzim e tyre nga operatori postar nuk ka garantuar as minimumin e standardit të sigurisë së votës sa i përket marrjes dhe dorëzimit individual", thuhet në reagim.
Mëngjesin e sotëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur numërimi i votave nga Greqia. Gjithsej janë rreth 53 mijë zarfe, për të cilët ishte pezulluar numërimi i tyre me kërkesë të PD-së./ZËRI