Politikë

Zgjedhjet në Himarë, miratohet identifikimi elektronik i zgjedhësve. Pelinku shqetësime për shtimin e votuesve

Sipas Pelinkut në Himarë u zhvendosën 311 zgjedhës, 137 u ndryshoi qendra e votimit

E.K
Zgjedhjet në Himarë, miratohet identifikimi elektronik i
Lealba Pelinku

TIRANË- Më pak se një javë nga zgjedhjet e së dielës në Himarë, Komisioni Rregullator vendosi që procesi i identifikimit elektronik do të kryhet nëpërmjet pajisjeve të identifikimit elektronik, “PEI”.

Këto pajisje do të testohen ditën e mërkurë, vetëm 4 ditë përpara zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës. 11 parti janë regjistruar për këto zgjedhje, ku Partia Socialiste garon me kandidaturën e Vangjel Tavos, ndërsa opozita me atë të Petro Gjikurisë.

Nga ana tjetër, në mbledhjen e sotme të KQZ-së, nënkryetarja e propozuar nga radhët e opozitës, Lealba Pelinku, ngriti shqetësimin e shtimit të numrave në listën e zgjedhësve. Ajo tha se në krahasim me zgjedhjet e Majit të vitit të kaluar, në Himarë ka 311 qytetarë me të drejtë vote më shumë në lista.

Pelinku e quajti anormale këtë ndryshim të numrit të zgjedhësve, dhe tha se do të kërkonte informacion tek Gjendja Civile për të shpjeguar këtë shtim të votuesve për datën 4 Gusht. Gjithashtu do të kërkohen dhe datat se kur janë bërë këto shtesa.

“Ajo që bie në sy, që është dhe gjetje e auditit, nëse krahasojmë ndryshimin e numrit të zgjedhësve, 2021 - 2023 rezulton që ka një ulje në vlerë absolute të 8 zgjedhësve, ndërkohë nga 4 prill 2023, lista përfundimtare për zgjedhjet e 14 majit, dhe 10 korrik 2024, për zgjedhjet në proces rezulton se ka një rritje 252 në vlerë absolute, por ajo që bie në sy është numri 311 i zgjedhësve që i është ndryshuar vendbanimi. Pra nga bashkitë e tjera janë regjistruar në bashkinë Himarë. Nisur nga kjo gjetje. Kemi të bëjmë me një ndryshim vlerash anormal, nga -8 në 252 apo 311 që janë votues me vendbanim të ri në Himarë, jemi në fazën e të drejtuarit me shkresë tek Drejtoria e Përgjithshme me Gjendjen Civile për të pasur një informacion lidhur me datat se kur është miratuar kërkesa e këtyre zgjedhësve për të ndryshuar vendbanimin", tha mes të tjerave Pelinku.

Poll

MOS HUMB