
GJIROKASTËR- Zëvendësministri i Jashtëm grek, Giorgos Kotsiras ka deklaruar se Greqia shpreson se çështja Beleri do të zgjidhet sa më shpejt nga autoritetet shqiptare. Nga fetsa kombëtare e Greqisë, në varrezat ku prehen ushtarët grekë në Bularat, Kotsiras u ndal para mediave dhe tha se është e rëndësishme që të zbatohet Kushtetuta e Shqipërisë, pasi Fredi Beleri është kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës dhe duhet të betohet e të marrë detyrën.
“Është në nderin tim të përfaqësoj sot në këtë përvjetor qeverinë greke për tu gjendur mes jush që mbani lart flamurin grek. 28 Tetori është një ditë e ndriçuar për helenizmin dhe në këtë territor në Këlcyrë dhe Bularat u shkruar eposi i viteve ‘40. Këtu prehen ushtarët grekë heronjtë tanë që luftuan në malet e Shqipërisë dhe nderohen me dinjitet në vendin ku kanë rënë. 28 Tetori na frymëzon dhe si ngjarje na kujton se një popull i vendosur dhe që mbron të drejtën është i destinuar t’ja dalë. Si sot 83 vjet më parë shpresa fitoi mbi frikën. Të njëjtat parime do të duhet të na udhëheqin edhe sot në kohë krizash. Të njëjtën gatishmëri që Shqipëria tregoi në 2019 për të njohur dhe mbrojtur varrezat e grekëve të rënë në Shqipëri e kërkojmë edhe për çështjen e Fredi Belerit në mënyrë që të mos hedhë hije mbi marrëdhëniet greko-shqiptare. Siç e ka theksuar edhe kryeministri, Fredi Beleri ka të drejtë të betohet për postin e kryetarit të bashkisë së Himarës. Bëhet fjalë një shkelje të së drejtës së personit të votuar nga zgjedhësit duke shkelur çdo normë ndërkombëtare në një shtet të së drejtës. Greqia mbështet intergrimin e Ballkanit Perëndimor në BE por kjo mbështetje presupozon respektimin e shtetit të së drejtës. Ministria jonë e Jashtme, ambasada dhe konsullatat në Shqipëri i njohin çështjet që shqetësojnë dhe po i ndjekin ato nga afër,”- tha zëvendësministri i Jashtëm grek.
Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim çështjen ‘Beleri’. Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë. Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës./Zëri.ai