TIRANË- Roland Hysi, i njohur si Landi i West Side Family, ka reaguar në mbrojtje të mikut të tij, Mirit, që është bërë pjesë e Big Brother, dhe po kryqëzohet për raportin që ka krijuar me vajzat brenda shtëpisë. Postimi i Landit, vjen vetëm pak orë pas një interviste të babait të Selin, që e quajti Mirin një person pervers, që po përfiton nga vajza e tij. Në reagimin e gjatë të Landit në rrjetet sociale merr fund dhe dilema i raportit që ai ka me bashkëshorten e tij, pasi miku sqaron mes rreshtash se ata janë bashkë, dhe po ndjekim familjarin e tyre në këtë eksperiencë televizive.
“Miri ka familjet e tjj (grua, vajzë, nënë, baba, vëlla etj) të respektuara dhe të distancuara nga sulmet, akuzat apo hedhja baltë ndaj të tretëve. Edhe unë”, shkruan mes të tjerave Landi në postimin e tij.
POSTIMI I PLOTË I LANDIT
GOZHDËT E KRYQËZIMIT
Pohime personale:
Miri nuk është ajo çka qëllimisht po portretizohet e hiperbolizuar në mënyrën më sipërore në rrjete sociale apo tjetër, si shkak i një apo disa momenteve të caktuara, foto/video etj.
Mirin e kemi ndjekur (miq e të afërm të cilët i përshëndes për mbështetjen) me shumë kujdes. Big Brother është format që me ose pa hir të fton të jesh më shumë se i vëmendshëm. Deri tani, Mirit as i takon e aq më pak nuk e meriton këtë lloj “vale të nxehti” apo “dalje nga shtrati e lumenjve” të komenteve pa frerë e pa doreza të kujtdo që mundet.
Si grup, ne gjithmonë kemi qenë, jemi dhe do të jemi në kundërshti me antivlerat, të vërtetë në atë që i kemi dhënë dhe japim publikut dhe larg diskreditimit apo denigrimit të individit, ama për dreq, nuk mund ta pretendojmë të njëjtën gjë nga të gjithë.
Miri nuk i ka bërë keq askujt me dashje. As ne. Kemi qenë dhe jemi në një status HATE AT FIRST SIGHT (Urrjetje me shikim të parë), por gjithmonë e kemi përmbysur këtë me vepra të mira. Miri dhe ne.
Miri është pjesë e respektit që publiku i ka dhënë atij si pjesë e West Side Family. Nuk ka abuzuar kurrë me këtë respekt dhe nuk po e bën. As ne.
Miri ka familjet e tjj (grua, vajzë, nënë, baba, vëlla etj) të respektuara dhe të distancuara nga sulmet, akuzat apo hedhja baltë ndaj të tretëve. Edhe unë.
Si pjesë e showbiz prej 27+ vitesh edhe pse jo publikisht, situata të tilla i kemi kaluar shpesh e madje edhe më keq dhe e dimë fare mirë që një televizion, radio, media, spektakël, opinionistë, juri etj., pra si një nga një, ashtu edhe të gjithë e kanë mundësinë ta ekzagjerojnë një situatë e po ashtu edhe individë të paktë që me anë mesazhesh, thjesht sepse munden, shkruajnë si dëshirojnë. Këtë fakt e kemi të qartë dhe të ditur.
Në fund të fundit, ky është “kryqi” apo bekimi e njëkohësisht mallkimi dhe kosto që Miri, por edhe ne si West Side Family kemi marrë përsipër në misionin tonë si kur ishim tre, por edhe tani.
Nuk jemi shenjtorë, por sigurisht dhe absolutisht jo pjesë e gijotinës! Nuk kemi hedhur dhe nuk do vjellim vrer ndaj kërkujt! Mirë do qe që edhe të tjerë te veprojnë njësoj, por në këtë rast, halla nuk do ishte më hallë, por do ishte xhajë.