TIRANË- Në një intervistë për "Inspire Podclass", këngëtarja Zaimina Vasjari foli në lidhje me raportin e saj të dashurisë, me atë që sot është bashkëshorti i saj. Ajo u njoh me partnerin në moshën 17-vjeçare, dhe qëndruar për njëfarë kohe larg njëri tjetrit. Kohë që Klodiani e shfrytëzoi për të nisur një martesë tjetër, nga e cila erdhën në jetë dy vajza.
Zaimina u shpreh se kishte arritur shumë në një moshë fare të vogël, dhe e vetmja gjë për të cilën kishte nevojë, ishte dikush që mund ta bënte të lumtur. Kjo, sipas saj, ishte një ndër arsyet kryesore pse zgjodhi të jetë krah tij.
"Kur më zgjati dorën dhe tha je zgjedhja ime. Kur luftoi për mua për gjithçka. Ai e shikonte jetën me mua dhe unë mendoj që bëra zgjedhjen e duhur në jetën time. Është një shprehje e bukur që mua më pëlqen shumë, që thotë: 'Një burrë i vërtetë femrën e tij e bën të lumtur, pjesa tjetër e bën të fortë.' Unë isha një femër e fortë, pa diskutim, se kam qenë shumë e re kur kam krijuar atë pavarësinë time ekonomike në një moshë fare të re. Pra, isha tashmë një vajzë e fortë. Në jetën time kisha nevojë për një mashkull të më bënte të lumtur. Klodi më dha gjithë lumturinë e botës."
Problemi më i madh gjatë fillimeve, siç edhe ajo u shpreh ishin gjykimet. Partneri i saj vinte nga një martesë me dy fëmijë. Prej kësaj ajo u gjykua jo pak, madje edhe nga njerëz që as nuk e njihnin.
"Po, kam qenë e gjykuar, e paragjykuar, ndonjëherë edhe nga njerëz që nuk kanë pasur të bëjnë fare me jetën time. Por, ka qenë e çuditshme që kanë zgjedhur të gjykojnë jetën e dikujt që nuk e njohin fare."
Sa i takon marrëdhënies me fëmijët e bashkëshortit, ajo u shpreh se është mjaft e mirë. Kjo, sepse ato janë të rritura, por edhe për shkak të raportit mjaft të mirë që partneri i saj ka ndërtuar me të bijat.
"Vajzat e partnerit tim tashmë janë të rritura. Unë kam një marrëdhënie shumë të bukur me to. Një marrëdhënie si shoqe, si motra, sepse të tillë marrëdhënie ka ndërtuar dhe im shoq me to." Të dy ata janë prej vitesh bashkë dhe prej kësaj martese kanë dy fëmijë./ZËRI