TIRANË- Armir Shahini, ose i njohur ndryshe dhe si Miri i grupit West Side Family, është një nga emrat më të diskutuar të këtij sezoni në “Big Brother VIP Albania”. Ai po tërheq vëmendje për dinamikën e tij në shtëpi dhe për një trekëndësh emocional që ka ngritur tensionin mes dy prej banoreve. Dy vajza, Lorna dhe Selin, duket se kanë shfaqur interes për të, duke e bërë këngëtarin një nga protagonistët kryesorë të këtij edicioni.
Miri, njihet për jetën e tij shumë private dhe larg vëmendjes së mediave rozë. Për dallim nga shumë personazhe të tjerë të skenës, ai ka zgjedhur që jetën familjare ta mbajë hermetike, duke u fokusuar kryesisht te muzika dhe trashëgimia e grupit që la gjurmë në pop-kulturën shqiptare.
Së fundmi, në rrjetet sociale janë shpërndarë disa foto ku këngëtari shihet krah bashkëshortes së tij. Ajo që bie në sy dhe që ka zgjuar kureshtjen e ndjekësve është fakti se partnerja e Mirit nuk është shqiptare.

Në imazhet e publikuara, çifti duket mjaft i lumtur, duke shijuar momente të veçanta së bashku. Në fotot e qarkulluara, çifti shfaqet në atë që duket si dita e tyre e martesës, ku bashkëshortja mban një vello elegante dhe një buqetë me lule të bardha.

Gjithashtu, në njërën prej fotove shihet edhe vajza, duke dëshmuar kështu portretin e plotë familjar të artistit, i cili prej kohësh jeton jashtë kufijve të Shqipërisë.