BRITANI E MADHE- E veshur me të zeza dhe me lot në sy, Sharon Osbourne u shfaq në Birmingham, duke ndjekur arkëmortin që mbante trupin e bashkëshortit të saj, Ozzy Osbourne. E shoqëruar nga fëmijët e tyre, gruaja e këngëtarit legjendar doli nga automjeti dhe la lule në "Black Sabbath Bridge", në vendin ku ndodhet stoli i dedikuar grupit që ndryshoi historinë e muzikës.
Sharon, gruaja dhe menaxherja e Ozzy-t për më shumë se katër dekada, ka qenë gjithmonë pranë tij - si në karrierën ashtu edhe në momentet e vështira jetësore. Në fazën e fundit të jetës së tij, kur Ozzy ishte tërhequr nga sfera publike për shkak të problemeve shëndetësore, ajo u shfaq në vend të tij: dha intervista, u takua me fansat dhe përcolli kudo emocionet e tyre për kthimin në Birmingham.
View this post on Instagram
Ceremonia e përcjelljes në banesën e fundit të Ozzy Osbournes do të mbahet në një rreth rreptësisht privat, me të pranishëm vetëm të afërm dhe miq të ngushtë.
Ozzy dhe gruaja që "i shpëtoi jetën çdo ditë"

Kur ishte gjallë, Ozzy Osbourne ka folur me emocion për rolin kyç të gruas së tij, Sharon. Në një intervistë të mëparshme me producentin muzikor Billy Pinnell në Melbourne, ai kishte thënë: Thonë se pas çdo burri të madh qëndron një grua e madhe - dhe në rastin tim kjo është absolutisht e vërtetë. Nëse nuk do ta kisha gruan time pranë, nuk do të isha këtu - pa dyshim. Nuk do të isha gjallë. Ajo më shpëtonte jetën çdo ditë.
Ozzy dhe Sharon u martuan në Hawaii më 4 korrik 1982 dhe patën tre fëmijë: Amy, Kelly dhe Jack. Nga martesa e tij e parë me Thelma Riley, ai pati edhe tre fëmijë të tjerë: Elliot, Jessica dhe Louis.
Ozzy Osbourne është një nga ikonat më të mëdha të muzikës rock dhe metal, i njohur si vokalisti i grupit legjendar Black Sabbath dhe për karrierën e tij të suksesshme solo. Ai lindi më 3 dhjetor 1948 në Birmingham të Anglisë dhe fitoi famë botërore në vitet ’70 me zërin e tij të veçantë dhe stilin e errët muzikor. Ozzy u bë simbol i zhanrit heavy metal, shpesh i përshkruar si “Princi i Errësirës”. Përveç muzikës, ai u bë i famshëm edhe për jetën e tij të çmendur, skandalet dhe reality show-n “The Osbournes”. Në vitet e fundit, shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të sëmundjeve si Parkinsoni dhe probleme të shumta me shtyllën kurrizore. Ai njoftoi tërheqjen nga turnetë për shkak të gjendjes fizike. Më 29 korrik 2025, bota humbi një legjendë, kur Ozzy Osbourne ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. Vdekja e tij shkaktoi reagime të shumta në mbarë botën e muzikës dhe fansat e tij e përkujtuan me dhimbje e respekt./ZËRI